Deputetja e LDK-së kërkon të ‘‘legalizohet’’ korrupsioni

Deputetja e LDK-së kërkon të ‘‘legalizohet’’ korrupsioni

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi ka një ide të re mbi korrupsionin.

E pranishme në një panel mbi ‘‘gratë në politikë dhe korrupsionin’’ në kuadër të festivalit Dokufest, Kajtazi ka dhënë një ide mbi atë sesi të luftohet korrupsioni.

Thotë se ai duhet të legalizohet, raporton Insajderi.

Si shembull të korrupsionit, ish-zëvëndësministrja e Kulturës, Kajtazi, ka marrë aplikimin për pasaportë në Kosovë.

‘‘Nëse e analizojmë procesin e aplikimit për pasaportë në Kosovë, përkatësisht atë të porositjes së pasaportës në afat më të shkurtër sesa zakonisht, shohim se ata që kanë nevojë për procedura të shpejta, paguajnë më shumë’’, ka thënë Kajtazi, duke iu referuar mitmarrjes në institucione publike.

Deputetja Lirie Kajtazi, gjatë fjalës së saj në Dokufest. Foto nga: Yllka Fetahaj

Deputetja Lirie Kajtazi, gjatë fjalës së saj në Dokufest. Foto nga: Yllka Fetahaj

Qytetarët e Kosovës paguajnë 100 euro nëse duan të marrin pasaportë në procedurë të shpejt, që zakonisht lëshohet brenda 5 ditëve. Për procedurë normale, kosovarët paguajnë afërsisht 30 euro.

Insajderi raporton se tema e mitmarrjes u përmend nga deputetja lokale serbe nga Kragujevci, Jovana Jovanoviq e cila tha se korrupsioni është i shprehur qysh në gjëra bazike sikurse dhënia e parave për të kryer një shërbim duke tejkaluar procedurat normale.

Për deputeten Kajtazi, fakti se kosovarët paguajnë më shumë nëse duan procedurë më të shpejtë për pajisje me pasaportë tregon se ata janë në gjendje të paguajnë edhe në institucione të tjera, ku nuk vlen ky rregull.

‘‘Kësisoj më mirë që këto para të shkojnë në buxhet të shtetit ashtu sikurse në rastin e pasaportave sesa të shkojnë në duart e punonjësve të korruptuar në institucione shtetërore’’, ka thënë Kajtazi, raporton Insajderi.

Ajo ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë secilin rast, duke ia vënë atyre barrën kryesore në luftimin e korrupsionit./Insajderi.com