45% e bizneseve vlerësojnë se kanë gjendje jo të kënaqshme biznesore

45% e bizneseve vlerësojnë se kanë gjendje jo të kënaqshme biznesore

Në tremujorin e katërt 2020, 45 për qind e bizneseve kanë vlerësuar se kanë një gjendje jo të kënaqshme biznesore, përcjell Insajderi.

Ndërsa, në krahasim me tremujorin paraprak gjendja e biznesit ka shënuar një përmirësim të lehtë, pasi që përqindja e bizneseve që vlerësojnë situatën aktuale si të pakënaqshme është më e vogël për pritje pozitive.

Kështu u shpreh kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në konferencë për media ku prezantoi të gjeturat kryesore nga anketimi i bizneseve, për tremujorin e katërt të vitit 2020, njofton KP.

Rukiqi shtoi se përderisa në TM4 të vitit 2019, 23 për qind e kompanive respodente prisnin rritje të numrit të punëtorëve, në TM4 të vitit 2020, janë vetëm rreth 12 për qind e kompanive që kanë pritje pozitive, pra ka një rënie të pritshmërive prej 11 pritje pozitive.

“Kemi një përgjysmim të pritjeve, kjo reflekton pasojën e pandemisë ku kompanitë kanë më pak investime, kompanitë i kanë ngadalësuar edhe shumë projekte që i kanë pasur për vitin 2020 dhe kjo rrjedhimit ka rezultuar edhe me më pak pritje për punësim gjë që na tregon edhe vet gjendjen e sektorit privat”, ka theksuar Rukiqi.

Ai po ashtu tha se pritjet për gjashtëmujorin e ardhshëm janë pothuajse të ngjashme me TM4, rreth 41 për qind e kompanive respodente kanë vlerësuar se situata e tyre biznesore në gjashtë muajt e ardhshëm do të përmirësohet.

Kreu i OEK theksoi se në diskutime me Qeverinë që projektohet një mbështetje financiare për vitin 2021 si dhe kërkesë e veçantë për mbështetjen e sektorëve që pësuan në këto 12 ditët e fundit nga kufizimi i veprimtarive për gastronominë, qendrat tregtare dhe të tjera.

“Jemi duke diskutuar se si mund të projektohet një mbështetje financiare për vitin 2021. E dimë që qeveria është në ditët e para të punës, ne kemi parashtruar një kërkesë për këtë pjesën që lidhet lidhur me këto 12 ditët e mbylljes për dy sektor dhe për mbylljen e pjesshme për disa sektor të tjerë. Pastaj, ajo që neve na pret një plan i qartë se si të dalim nga kriza ekonomike dhe ta kthejmë trendin pozitiv”, ka shtuar Rukiqi.

Ai pret që rritja ekonomike ka shënuar rënie rreth gjashtë për qind, ashtu edhe siç ishin parashikimet e FMN-së për Kosovën. /Insajderi.com