“Netët e errëta të shpirtit” të Nënës Terezë

Askush, pos udhëheqësit shpirtëror të Nënës Terezë dhe peshkopit, nuk ka ditur për agoninë e saj, derisa korrespondencat e saj kanë dalë në pah, gjatë rrugës së saj të lumturimit. Letrat më pas janë bërë të disponueshme për publikun e gjerë në librin “Eja bëhu drita ime”, më 2007.

“Netët e errëta të shpirtit” të Nënës Terezë

Kur Papa Françesku të shenjtërojë Nënë Terezën të dielën, ai do të nderojë një murgeshë që ka pasur admirues në gjithë botën dhe që ka fituar Çmimin Nobel për Paqe për përkushtimin ndaj të varfërve.

Ai po ashtu do të njohë shenjtërinë në një grua që është ndjerë e braktisur nga Zoti, thuhet në një analizë të agjencisë së lajmeve Associated Press.

Për gati 50 vjet, Nënë Tereza ka duruar atë që kisha e quan “natë të errët të shpirtit”, një periudhë e dyshimit shpirtëror, dëshpërimit dhe vetmisë, që shumë prej misitikëve të mëdhenj e kanë kaluar. Në rastin e Nënës Terezë, nata e errët ka zgjatur gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj.

Askush, pos udhëheqësit shpirtëror të Nënës Terezë dhe peshkopit, nuk ka ditur për agoninë e saj, derisa korrespondencat e saj kanë dalë në pah, gjatë rrugës së saj të lumturimit. Letrat më pas janë bërë të disponueshme për publikun e gjerë në librin “Eja bëhu drita ime”, më 2007.

Për Brian Kolodiejchuk, priftin kanadez që ka publikuar letrat dhe ka drejtuar fushatën e shenjtërimit të Nënës Terezë, zbulimet kanë qenë konfirmim i mëtejshëm i mirësisë së Nënës Terezë. Ai tha se me shenjtërimin e saj, Papa Françesku tregon se Nëna Terezë jo vetëm se ka ndarë varfërinë materiale të të varfërve, por edhe varfërinë shpirtërore të atyre që ndjehen “të padashur, të padëshiruar dhe të lënë pas dore”.

“Kjo ka qenë përvoja e saj në marrëdhëniet e saj me Jezusin”, tha Kolodiejchuk. “Ajo e ka kuptuar shumë mirë kur njerëzit duan të ndajnë historitë e tyre të tmerrshme, dhimbjen e tyre dhe vuajtjen nga të qenët të padashur, të vetmuar. Ajo ka qenë në gjendje të ndajë këtë ndjenjë, sepse vetë po e përjetonte”, tha Kolodiejchuk, transmeton Associated Press.

Dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të dielën, për një murgeshë të imët dhe të përkulur, e cila ka hyrë në rrugën e shenjtërimit vetëm një vit pasi ka vdekur më 1997. Papa Gjon Pali II, i cili ka qenë mbështetës i madh i Nënës Terezë, e ka shpallur të lume atë në vitin 2003.

Papa Françesku e ka bërë shenjtërimin pikën më të lartë të Jubileut të tij të Mëshirës. Françesku ka interes të dukshëm t’i japë dritë mëshirës që ka shfaqur Nëna Terezë, marrë parasysh se jeta e saj ilustron prioritetet e papatit të tij.

Por, Papa dërgon edhe një mesazh delikat te besimtarët përmes shenjtërimit të murgeshës shqiptare: se shenjtorët mund të mos jenë të përsosur, se ata mund të vuajnë si Nëna Terezë dhe të ndjehen të padashur nga Zoti, tha Ines Angeli Murzaku, profesore e historisë kishtare në Universitetin Seton Hall në Nju Xhërsi, e cila edhe vetë është shqiptare.

Sipas saj, Papa do që të tregojë se Nëna Terezë “është aq reale, nuk është e largët, nuk është e përsosur, nuk është shenjtore e përsosur”.

Në një letër, më 28 shkurt, 1957, Nënë Tereza i ka shkruar kryepeshkopit të atëhershëm të Kalkutës, Ferdinand Perier, se ka “shumë kundërthënie në shpirtin” e saj.

“Kaq kohë të gjatë duke dëshiruar Zotin, është e dhimbshme, është vuajtje e vazhdueshme dhe prapë e padëshiruar nga Zoti, e mospranuar, e zbrazët, pa besim, pa dashuri, pa pasion”, ka shkruar Nënë Tereza.

“Shpirtrat nuk kanë tërheqje. Qielli nuk do të thotë asgjë, duket si një vend i zbrazët për mua. Mendimi për të nuk do të thotë asgjë për mua dhe prapë kjo dëshirë e torturuar për Zotin”, ka shkruar tutje ajo.

“Lutuni për mua ju lutem që të vazhdoj të buzëqesh, pavarësisht të gjithave”, ka thënë Nëna Terezë.

Në një letër tjetër, ajo ka pranuar se buzëqeshja e saj është “një mantel i madh që mbulon shumë dhimbje”.

Zbulimi se buzëqeshja e saj ka qenë maskë për dyshimet e brendshme në lidhje me praninë e Zotit ka nxitur kritika; disa kanë thënë se murgesha nga Ballkani është “mashtruese”.

Kolodiejchuk, megjithatë, tha se ajo nuk ishte hipokrite. Ai tha se buzëqeshja ishte përpjekje e vërtetë dhe heroike për të fshehur vuajtjet e saj private, madje edhe nga Zoti, dhe për të parandaluar të tjerët nga më shumë vuajtje.

“Ju mund të jeni të lumtur edhe nëse vuani, sepse e pranoni, dhe ju punoni, veproni me dashuri, që i jep kuptim vujatjes”, tha Kolodiejchuk në intervistën për Associated Press.

Zbulimet, prapëseprapë, kanë tronditur edhe besimtarët dhe miqtë më të afërt të Nënës Terezë, përfshirë motrat që iu bashkuan Misionarëve të Bamirësisë, bashkësisë fetare katolike të themeluar nga vetë Nëna Terezë. Kolodiejchuk tha se disa motra kanë qarë kur kanë dëgjuar për letrat.

Motra Prema, gjeneralja aktuale e Misionarëve të Bamirësisë, tha se nuk e kupton as sot thellësinë e dhimbjes së Nënës Terezë.

“Mendoj se një shpirt që nuk ka përjetuar errësirën, nuk është në gjendje ta kuptojë. Është një mister i jetës shpirtërore”, tha motra Prema./REL