fbpx

5 milionë euro nga deputeti i LDK-së – E vërteta e konfliktit Veliaj- Ramiz Kelmendi

5 milionë euro nga deputeti i LDK-së – E vërteta e konfliktit Veliaj- Ramiz Kelmendi

Shumë pika të errëta kanë mbetur në konfliktin e bërë publik mes kryebashkiakut të Tiranës dhe një deputeti biznesmen të madh të Kosovës.

Ramiz Kelmendi akuzoi të hënën, me anë të një letre publike, Erion Veliajn se ishte tërhequr nga premtimi i dhënë për të ndërtuar një qendër tregtare në zonën e kthesës së Kamzës. Ai pretendonte se Veliaj e kishte tërhequr zvarrë për vite me radhë, pasi i pati dhënë fjalën se projekti do të bëhej dhe më në fund i çoi inspektorët e bashkisë për të prishur në mënyrë abuzive rrethimin e zonës së ndërtimit.

Ramiz Kelmendi pretendon të jetë takuar dy herë me kryebashkiakun, një herë kur e ka pyetur nëse mund të investojnë për ngritjen e një qendre tregtare tek kthesa e Kamzës dhe një herë për të konfirmuar lejen e ndërtimit.

“Në pyetjen time se a ka ndonjë kontest, interes publik për parcelën në fjalë, të gjitha përgjigjet nga ana juaj ishin në favor dhe mbështetje të ketij projekti”, thuhet në letrën e hapur të deputetit nga Kosova.

Kelmendi pretendon po ashtu se ka paguar mbi 1.6 milionë euro tarifën e ndikimit në mjedis dhe se ishte prej kohësh në pritje të zbardhjes së lejes së ndërtimit. Ai shprehet se ishte habitur nga ndërhyrja e inspektorëve të bashkisë. Ai akuzoi bashkinë se kishte kërkuar që përmes shantazhit t’i merrte pronën me vlerë sipas tij 5 milionë euro.

Nga ana tjetër Bashkia, e pyetur nga BIRN ka reaguar duke thënë se toka që ka në dispozicion Kelmendi dhe për të cilën ka paguar edhe lejen e ndërtimit duke pritur vetëm zbardhjen e saj, i duhej asaj për të bërë stacionin e trenit. Ndërsa në stilin e tij populist, Veliaj bëri një deklaratë se ai nuk impresionohej nga shantazhet e biznesmenëve milionerë, por i shërbente interesave të qytetit të tij.

Po si qëndron e vërteta e kësaj historie ku me sa duket asnjëri nuk është engjëll. Ramiz Kelmendi duket se gënjen kur flet për marrjen e 5 milion eurove, sepse trualli  tij do të shpronësohet për interesa publike dhe ai nuk do t’i falë asgjë askujt. Ai nuk është aspak i pafajshëm sepse ka përdorur kostumin e tij zyrtar, një herë si deputet dhe një herë si zv kryeministër i qeverisë së Kosovës, për të zgjidhur hallet e biznesit të vet privat. Të gjithë e dinë se jo çdo biznesmen i zakonshëm shkon të negocjojë drejtëpërdrejt me kryebashkiakun duke anashkaluar të gjitha strukturat. Dhe këtu mbarojnë “mëkatet” e tij, bashkë me besimin e tepruar që ka patur tek një akrobat si Veliaj.

E këtu problemi kthehet tek Lali i bashkisë. Po t’i shohësh me kujdes përgjigjet publike që ka dhënë, ato i shmangen thelbit të akuzave. Ai devijon shëmtuar, duke përdorur për prishjen e projektit kontradiktën mes milionerëve dhe interesit të qytetarëve. Ai nuk përgjigjet se si është e mundur që i ka premtuar Ramiz Kelmendit se mund të investonte në atë tokë me vlerë rreth 5 milionë euro? Ai nuk përgjigjet se si është e mundur që institucioni i tij ka vjelë edhe taksën e ndikimit mbi ambjentin për lejet e ndërtimit?

Ai bën shejtan budallain, duke u shtirur sikur e mori vesh vetëm tani që aty do të kishte stacion treni, ndërkohë që plani urbanistik është miratuar që në dhjetor 2016.

Por nga kjo histori ku asnjëri nuk ka të drejtën ekskluzive, kuptohen dy gjëra: e para se për ndërtimet e reja në Tiranë investitorët nuk ndjekin proceduarat normale të institucionit, por shkojnë e diskutojnë direkt me kryebashkiakun, sikur ai të jetë pronari i një biznesi privat. Dhe e dyta, që lidhet me premtimin e pambajtur të Erion Veliajt, tregon se ai nuk ka autonomi të plotë për kullat e mëdha dhe qendrat tregtare që ngrihen në Tiranë. Për ato, Veliaj bën vetëm letrat sepse janë ekskluzivitet i klientëve të Edi Ramës dhe vendimarrjen ekskluzive e përcakton vetëm ai./LAPSI.AL