5 vjet zvarritje, rasti që dëshmon shpërfilljen e shtetit ndaj investitorëve të huaj

5 vjet zvarritje, rasti që dëshmon shpërfilljen e shtetit ndaj investitorëve të huaj

Ka pesë vjet që Komuna e Prishtinës nuk po arrin t’a asfaltojë një pjesë të rrugës përgjatë kompleksit të shtëpive “Chelsea Point” – që ndodhet në dalje të Prishtinës, konkretisht në fshatin Bërnicë e Epërme.

Halil Fejziu nga Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave në Komunën e Prishtinës ka thënë se arsyeja përse deri tani nuk është asfaltuar kjo pjesë e rrugës është sepse kanë hasur në pengesa nga banorët e kësaj ane.

Përderisa një gjë të tillë po e mohojnë nga “Chelsea Point” – menaxheri i këtij projekti, Naim Avdyli ka thënë për Insajderi se kjo pjesë e  rrugës i takon komunës si rrjedhojë nuk mund të ketë hezitim nga banorët e cekur nga komuna.

“Rruga përgjatë “Chelsea Point” ku duhet të aslaftohet i takon krejt komunës. Aty nuk ka pronë private nga kalon rruga”, ka thënë ai

Avdyli ka thënë se javë më parë ka pasur një takim me drejtorin, Gëzim Mehmetin dhe Halil Fejziun nga Komuna e Prishtinës – ku sipas tij u ka sqaruar se ajo pjesë nuk është e privatizuar.

“Ajo pjesë ku ka qenë private veç është shtruar, që shtatë muaj është një pjesë në fillim ku fillon rruga janë nja 60 metra qaty ka qenë një pronë private”, ka thënë menaxheri i projektit “Chelsea Point”.

Në anën tjetër, Halil Fejziu nga Komuna e Prishtinës ka thënë se një zgjidhje e mundshme pritet të bëhet gjatë këtij viti ose gjatë vitit të ardhshëm.

“Që në fillim kur janë bërë planifikimet vitin e kaluar ka pasur probleme pronësore dhe pengesa nga banorët lokal kështu që me zgjidhjen e tyre gjatë këtij viti do të shikohen mundësit me rishikim të buxhetit ose me planifikim për vitin e ardhshëm”, ka thënë Fejziu për Insajderin.

Pjesa e rrugës e pa shtruar në Bërnicën e Epërme

I zhgënjyer me Komunën e Prishtinës është shprehur edhe drejtori ekzekutiv i Chelsea Point, Alan Fox – i cili thotë që për 5 vite ka kërkuar asfaltimin e kësaj rruge, e cila sipas tij do të ndikonte në zhvillimin e kësaj pjese.

“Çdo vit për 5 vitet e fundit komuna më ka dhënë siguri që rruga do të ndërtohet. Përgjigja që më dhanë ishte gjithmonë e njëjtë. ‘Ne do të fillojmë muajin e ardhshëm’, është shprehur ai.

Nga “Chelsea Point” thonë se vetëm taksë për leje urbanistike dhe taksë infrastrukturore kanë paguar mbi 140 mijë euro përgjatë këtyre viteve./Insajderi.com