51 pacientë me COVID-19 po trajtohen në Infektivë, dy në gjendje më të rëndë

51 pacientë me COVID-19 po trajtohen në Infektivë, dy në gjendje më të rëndë

51 persona të infektuar me koronavirus janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Detaje rreth gjendjes së të infektuarve ka dhënë infektologu Valbon Krasniqi, i cili ka thënë se shtatë prej të infektuarve janë me oksigjeno-terapi, dy prej të cilëve janë në gjendje më të rëndë.

Sipas tij, gjendja e 44 pacientëve të tjerë është e mirë.

“Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 51 pacientë me COVID-19. Deri atëherë, gjendja e shumicës së pacientëve ka qenë e mirë. 44 janë në gjendje të mirë, përfshirë edhe analizat e tyre”.

Me shifrat e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë shkon në 703. Deri tani, nëntëmbëdhjetë pacientë kanë humbur jetën.

IKSHP’ja mbrëmë ka njoftuar se janë shëruar edhe tre pacientë, të cilët e çojnë në 162 numrin e përgjithshëm të të shëruarve./Insajderi.com