52 mësimdhënës të infektuar me COVID-19 në Gjilan – asnjë shkollë publike e mbyllur

52 mësimdhënës të infektuar me COVID-19 në Gjilan – asnjë shkollë publike e mbyllur

52 mësimdhënës në komunën e Gjilanit janë infektuar deri më sot më Coronavirus, njofton Insajderi.

Edhe pse numri i të infektuarve nëpër shkolla të kësaj komune ka shënuar rritje, sipas kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, situate është e menaxhueshme.

Megjithatë, asnjë shkollë publike nuk është mbyllur, ndërsa Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 ka mbyllur dy shkolla private pasi janë konsideruar si buri infeksioni.

Ndonëse ende nuk bëhet i ditur numri i nxënësve të prekur dhe emrat e shkollave, Haziri siguroi se të gjithë mësimdhënësit janë në vetizolim dhe po monitorohen nga institucionet lokale shëndetësore.

“Numri total i tyre është 52 në komunën e Gjilanit, por është e menaxhueshme. Këta janë në vetizolim dhe në monitorim 24 orë nga ana e institucioneve shëndetësore të komunës së Gjilanit, po qëndrojnë në shtëpi të tyre, dhe nuk ka vendim për mbyllje kolektive të as një shkolle. Dy shkolla private me rekomandim, menaxhmenti i komitetit në Gjilan i ka mbyllë sepse ato kanë qenë, në rastin e parë ka qenë burim i infeksionit dhe edhe shkollat publike janë infektuar nga ky rast”, ka thënë Haziri.

Pesë klasë janë mbyllur përkohësisht dhe kanë kaluar në Skenarin C të mësimit që është ai online.

Haziri thotë se shkollat publike nuk janë burim infeksioni dhe se arsimtarët që kanë rezultuar pozitivë janë prekur nga virusi SARS-COV-2 jashtë ambienteve shkollore.

“As një shkollë publike nuk është mbyllur, pesë klasë ne i kemi mësim online, sipas opsionit C që e quajmë në strategjinë dhe planin për zbatim të korikullës këtë vit në kushte pandemie, këto pesë klasë janë të një shkolle fillore në komunën e Gjilanit… Nuk kemi burim të infeksionit brenda shkollës, burimi i infeksionit ka ardhur prej jashtë shkollës. Në dy rastet e para që i kemi zbuluar ka qenë arsimtar që kanë qenë të infektuar nga jashtë dhe që fatkeqësisht mandej ka rezultuar edhe më bartje të infeksionit në disa raste, më e shumta tek arsimtaret se sa tek nxënësit”, ka thënë Haziri. /Insajderi.com