53 pacientë me koronavirus po trajtohen në Klinikën Infektive, tre në mjekim intensiv

53 pacientë me koronavirus po trajtohen në Klinikën Infektive, tre në mjekim intensiv

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 53 pacientë me COVID-19, prej të cilëve 12 persona janë me oksigjenoterapi dhe tre të tjerë janë në mjekimin intensiv në Klinikën Infektive.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, e cila gjithashtu ka konfirmuar se tre pacientë sot do të lirohen nga Klinika pasi të njëjtit janë shëruar nga COVID-19.

Ajo ka dhënë detaje edhe për pacientin 69 vjeçar i cili ka vdekur, që sipas saj ka pasur edhe probleme të tjera kardilogjike.

“Ne i kemi të spitalizuar 53 pacientë të cilët janë COVID pozitiv, prej tyre 39 janë në gjendje stabile, ndërsa 12 raste janë me oksigjenoterapi të cilët për momentin janë në gjendje stabile mirëpo menaxhohen nëpër reparte të Klinikës Infektive. Ndërsa, tre raste janë në mjekimin intensiv të Klinikës Infektive, prej tyre dy janë të intubuar, kurse një është me oksigjenoterapi dhe për momentin është në gjendje stabile. Sot nga Klinika Infektive do t’i lirojmë tre pacientë të cilët tani më janë të shëruar nga COVID-19 janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të lirohen në shtëpi. Gjatë 24 orëve të fundit e kemi pasur edhe një rast të vdekjes, është fjala për një pacientë nga Komuna e Suharekës, i cili ka qenë i lindur më 1951, do të thotë 69 vjeçar, i cili përveç infeksionit me COVID ka pasur edhe probleme të tjera kardiologjike dhe përkundër të gjitha masave të reanimimit të cilat janë ndërmarrë nga Klinika Infektive rasti ka pasur përfundim fatal”, tha ajo.

Ajazaj potencoi se vazhdimisht janë duke bërë testime, ku tha se deri në orën 10 janë testuar 14 raste e që rezultatet e tyre do të dalin më vonë.

Sa i përket stafit mjekësor të infektuar me COVID-19, ajo tha se nga 5 infermieret e infektuara dy janë shëruar plotësisht, një tjetër është në proces të shërimit, ndërsa dy të tjera janë në gjendje stabile.

Ajo deklaroi se stafi mjekësor testohet vetëm atëherë kur ka dyshime pasi që vazhdimisht janë në kontakt me personat e prekur me COVID-19.

“I kemi pasur pesë infermiere të cilët kanë qenë staf shëndetësor i Klinikës Infektive të infektuar me COVID-19, prej tyre dy janë shëruar, një është drejtë shërimit presim sot edhe mostrën e dytë të marrjes së strishës. Ndërsa, dy janë në gjendje stabile…Testimi i stafit të Klinikës Infektive bëhet vetëm në ato raste kur ne kemi indikacione për të punuar testin. Ne të gjithë jemi stafi i Klinik ës Infektive 24 orë në gatishmëri, jemi vazhdimisht në kontakt të vazhdueshëm dhe duke i trajtuar pacientët me COVID-19, të gjithë jemi të përgatitur për shfrytëzimin e masave mbrojtëse personale, mirëpo natyra e punës tonë është e tillë saqë në disa raste ka mundësi edhe marrjes së infeksionit. Ne prej fillimit kemi thënë që në asnjë moment nuk e përjashtojmë mundësinë që cdo njëri prej stafit tonë të mund të rezultojë COVID-19 pozitiv. Ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe jemi të vetëdijshëm për punën tonë”, tha ajo.

Kurse, për kontrollet mjekësore që aplikojnë, ajo bëri të ditur se së shpejti do të dalin me të dhëna se cili nga protokollet që kanë përdorur ka treguar sukses.

“Protokollet tona të cilët ne jemi duke i aplikuar jemi duke i përditësuar vazhdimisht konform protokolleve dhe publikimeve të ndryshme shkencore. Kështu që, së shpejti ne jemi duke i përpunuar të gjitha rastet të cilët i kemi trajtuar me protokollet e aprovuara nga Kolegjiumi i Klinikës Infektive dhe do të dalim me të dhëna të sakta se cili nga protokollet të cilin ne e kemi aplikuar është më i suksesshëm në trajtimin e këtyre rasteve”, tha ajo.

E pyetur se nga personat që presin për t’u testuar a ka edhe persona nga veriu i Mitrovicës dhe nga Graçanica, ajo tha se në Klinikën Infektive i pranojnë të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët kanë nevojë për ndihmë mjekësore pa marrë parasysh prejardhjen, gjininë, nacionalitetin. Ajo deklaroi se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.

Deri më tani janë 387 persona të konfirmuar me COVID-19, ku 9 persona kanë vdekur. Kurse, janë shëruar 66 persona.