6 vjet nga varrimi i të vrarëve në Kumanovë

6 vjet nga varrimi i të vrarëve në Kumanovë

Kanë kaluar gjashtë vjet që kur iu dha lamtumira e fundit tetë nga nëntë kosovarët e vrarë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.

Mijëra qytetarë u mblodhën atë ditë ku pas homazheve dhe një akademie përkujtimore, djem me uniforma të UÇK-së kanë përcjellë për në banesën e fundit, në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Prishtinë, trupat e Xhafer Zymberit, Mirsad Ndrecajt, Valon Kabashit, Turgaj Gashit, Samid Kastriotit, Hysen Rushitit, Fatlum Vishesellës dhe Arben Rexhajt.

Nga Këshilli Organizativ, në përbërje të shoqatave të dala nga lufta, familjarëve e personaliteteve të tjera, të rënët në Kumanovë gjatë një konflikti me policinë maqedonase më 9 dhe 10 maj, janë nderuar si dëshmorë.

Teksa varrimi është mbajtur në orën 17.00 në praninë e mijëra qytetarëve nga tërë Kosova, paraprakisht në sallën e sporteve “1 Tetori” janë bërë homazhe për më shumë se një orë, ndërsa është mbajtur edhe një akademi përkujtimore, raporton KP.

Disa prej te vrarëve kanë qenë në UÇK, kanë qenë pjesë edhe e UÇPMB-së në Luginë të Preshevës, por në vitin 2001 edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

Ndërkohë, në qendrën e paraburgimit në Shutkë të Shkupit po mbahen nëntëmbëdhjetë kosovarë, të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të policisë maqedonase në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë. /Insajderi.com