666 gra dhe 181 burra viktima të dhunës familjare gjatë vitit 2016

666 gra dhe 181 burra viktima të dhunës familjare gjatë vitit 2016

Përderisa gjatë vitit 2015, numri i rasteve të dhunës në familje nuk kapërceu shifrën prej 1 mijë 38 rasteve, në vitin 2016 numri i dhunës në familje është rritur. Janë mbi 1 mijë e 225 raste. Rastet më të shpeshta të dhunës në familje kanë ndodhur në kryeqytet.

Opinioni publik në Kosovë ishte shokuar kur një e mitur nga një fshat i Rahovecit ishte rrahur barbarisht nga familjarë të saj, duke ngjallur kështu edhe protesta kundër dhunës në familje.

Një rast i tillë ka qenë një nga 1 mijë e 225 rastet e denoncuara gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë, Rahoveci mbetet larg qyteteve të tjera në Kosovë, për sa i përket rasteve të dhunës në familje.

Sipas Tahire Haxholli, kryesuese e sektorit kundër dhunës në familje në Policinë e Kosovës, numri i raportimit të dhunës në familje është duke u raportuar çdo herë e më shumë.

“Raste të raportuara të dhunës në familje gjatë vitit 2016 janë, 1225, numër ky që çdo herë e më shumë është duke shkuar në rritje”, ka thënë ajo për Insajderin.

Ndërsa komuna që prin me numrin më të madh të rasteve është Prishtina, 178 raste gjithsej.

“Më së shumti raste të dhunës në familje janë raportuar në rajonin e Prishtinës 178 raste, kjo do të thotë se edhe ky rajon ka më shumë popullatë, duke përfshirë edhe komunat nën kompetencën e këtij rajoni”, ka bërë të ditur Haxholli.

Ajo ka treguar se gratë, si çdo herë është raportuesja më e madhe e dhunës në familje, 666 raste.

Mirëpo raportimi i dhunës në familje nuk është bërë vetëm nga gratë. Viktima kanë qenë edhe burrat. Gjithsej 181 burra kanë paraqitur raste të dhunës familje gjatë vitit 2016.

Tahiri tregon se gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka dërguar 754 raste në Prokurorinë Themelore, 7 raste janë të mbyllura pa bazë ndërsa nën hetime janë 86 raste.

Përveç kësaj ajo thotë se ka pasur raste edhe me fatalitet, ku kanë pësuar vdekje tri viktima. Raste këto që kanë ndodhur në komunën e Ferizaj.

Shkaktari që ka quar deri tek vdekja ka qenë xhelozia, thotë Haxholli, për Insajderin.

Ndërsa faktorët tjerë që ndikojnë në dhunën në familje janë papunësia, gjendja ekonomike, arsimimi, alkooli dhe së fundi njëri ndër faktorët tjetër është edhe përdorimi i substancave narkotike, thotë Haxholli.

Për Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës, raportimi i kësaj shifre tregon se dhuna në familje është shumë e shprehur në shoqërinë kosovare.

Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës thotë se “raportimi i 1225 rasteve të dhunës në familje vetëm gjatë vitit 2016 në policinë e Kosovës, tregon se dhuna në familje është shumë e shprehur në shoqërinë kosovare”.

Ndër tjerash ajo thekson se qytetarët në Kosovë çdo vit e më shumë janë duke e raportuar dhunën në familje dhe sipas saj arsyeja është se ka pas më shumë fushata vetëdijësuese.

“Shtimi në numrin e raportimit tregon se individët në Kosovë po e raportojnë më shumë dhunën në familje. Kjo mund të jetë e lidhur drejtpërsëdrejti  me fushatat vetëdijësuese që organizatat nga shoqëria civile, përfshirë këtu edhe RrGGK-në, kanë organizuar gjatë vitit që e lamë pas”, thotë Berisha.

Mirëpo Haxholli ka thënë se “nuk mjaftojnë vetëm fushatat vetëdijësuese të viktimave, duhet vetëdijesim më i madh edhe i prokurorëve dhe gjyqëtarëve në lidhje me dhunën në familje”.

Ndërsa për sociologun, Shemsi Krasniqi, ky numër i raportuar i dhunës në familje është mjaftë i madh.

“Numri i raportuar është mjaft i madh, e uroj që të mos jetë edhe më i madh, sepse në shumë raste dhuna nuk raportohet. E mira e së mirës është që fare të mos ndodh, por dihet se jemi larg ideales”, ka thënë ai për Insajderin.

“Nëse dhuna mbi gruan dikur ka qenë diçka “normale” ose e zakonshme, sot ajo konsiderohet anormale, e pazakonshme, e paligjshme, e dënueshme dhe e dëmshme”, ka përfunduar Krasniqi. /Insajderi.com