Artisti kosovar që refuzoi Vatikanin por ktheu një kishë amerikane në galeri arti

Artisti kosovar që refuzoi Vatikanin por ktheu një kishë amerikane në galeri arti

Një kishë lokale në qytetin Wilkes-Barre të Pensilvanisë në Amerikë do të kthehet në një galeri arti.

Krejt kjo, falë investimit të një artisti shqiptar.

Tash kjo kishë do të quhet “Qendra e Artit në Wilkes-Barre” e cila do të hapet nga 20 nëntori, brenda kishës së quajtur “Zemra e Shenjtë e Jezu Krishtit”, raporton sajti amerikan, “theweekender.com

Emri i artistit është Ray Lapatinka.

Me prejardhje nga Kosova, siç raporton Insajderi, Lapatinka ka studiuar në Universitetin e Prishtinës përpara se të udhëtonte në New Jersey, ku mori diplomë bachelor për artin dhe një diplomë master në Montclair University.

Lapatinka hapi galerinë e tij të parë në vitin 1996 dhe filloi të jepte mësim në Kolegjin Bergen në New Jersey, ku ishte mentor i studentëve të artit për katër vjet.

Por një vizitë e një miku të tij, ia kishte ndryshuar mendjen, dhe do të zhvendosej në një qytet, i 13-ti për nga madhësia në Pensilvani.

Të dytë kishin një mik të përbashkët, një biznesmen, gjithashtu shqiptar, Hysni “Sam” Syla që zotëron ndërtesën e Bankës Kombëtare në Wymoing dhe të një shkolle katolike të muzikës.

“Kur e pashë kishën menjëherë u dashurova dhe fillova të interesohem nëse mund ta ruaj atë, duke  marrë me qera ose duke e blerë. Mendova se do të ishte e bukur që të ruaj dhe ta kthej në një galeri arti”, ka thënë Lapatinka.

Dhe kishte pasur sukses.

Në vitin 2010 mori një ftesë nga Vatikani për të vlerësuar dhe rivendosur pikturat në kryeqytetin e kishës katolike, por ai refuzoi këtë punë, sepse ajo nënkuptonte zhvendosjen në Vatikan.

Lapatinka, i cili është specializuar në portretet e romantizmit të shekullit XIX, tani ka një kishë të tijën, muret e së cilës i ka mbushur me veprat e tij.

“Krejt kjo mori kohë afro 1 vit e gjysmë”, tha Lapatinka.

E planet e tij nuk ndalen me kaq. Ai planifikon ta kthejë këtë kishë në një muze të vogël arti, gjë që i mungon qytetit.

“Dhe kjo do të bëhet shpejtë”, thotë ai./Insajderi.com