Më 7 qershor hapet Panairi i Librit në Prishtinë

Përveç prurjes së titujve, Panairi i Librit sivjet me aktivitete të ndryshme do të shënojë disa jubile që lidhen me shkrimtarë të njohur.

Më 7 qershor hapet Panairi i Librit në Prishtinë

Shoqata e Botuesve të Kosovës është në përfundim të përgatitjeve për Panairin e 18-të të Librit në Prishtinë, që do të mbahet mes datave 7 dhe 12 qershor në Pallatin e Rinisë.

Panairi do të mbledhë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.

Besian Zeneli nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, tregon për KosovaLive se në këtë panair po planifikohet të prezantohen rreth 1.200 tituj të rinj dhe rreth 4.500 tituj të viteve të fundit.

Përveç prurjes së titujve, Panairi i Librit sivjet me aktivitete të ndryshme do të shënojë disa jubile që lidhen me shkrimtarë të njohur, njofton KultPlus.

“Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar dhe fizionomi të arrirë, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore siç janë 450-vjetori i lindjes së Pjetër Budit, 400-vjetori i vdekjes së Shekspirit, 400-vjetori i vdekjes së Servantesit, 150-vjetori i lindjes së Ndre Mjedës, 150-vjetori i lindjes së Andon Zako Çajupit,100-vjetori i lindjes së Mbretërershës Geraldinë, 100-vjetori i lindjes së Jusuf Vrionit, 100-vjetori i lindjes së Esad Mekulit, 90-vjetori i lindjes së Kasëm Trebeshinës, 80-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, 80-vjetori i lindjes së Rexhep Qosjes dhe 80-vjetori i lindjes së Adem Demaçit”.

Panairi i parë është mbajtur në datat 17-22 nëntor të vitit 1999, ndërsa të tjerët organizohen gjatë muajve maj-qershor. /Insajderi.com