73 vende mbesin të lira për studentë në Fakultetin Filozofik në UP

73 vende mbesin të lira për studentë në Fakultetin Filozofik në UP

Për herë të parë prej pasluftës ka nisur të bie numri i studentëve që konkurrojnë në degët e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës. Kështu, Dega e Filozofisë ka kërkuar sivjet t’i pranojë 100 studentë. E, kanë konkurruar vetëm 27 kandidatë. Kanë mbetur 73 vende të lira.

Universiteti i Beogradit për çdo vit pranon nga 70 studentë në Departamentin e Filozofisë. Shteti serb ka popullsi prej rreth 7 milionë banorëve.

Kosova ka më pak se 2 milionë banorë. Dhe, për çdo vit Universiteti i Prishtinës hap konkurs për pranimin e 100 studentëve në Drejtimin e Filozofisë.

Ministria e Arsimit dhe as Universiteti i Prishtinës kurrë s’kanë bërë asnjë studim se sa filozofë i duhen tregut të punës.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi që ka aprovuar numrin e studentëve për secilën degë asnjëherë s’ka kërkuar të arsyetohen shifrat e studentëve me tregun e punës dhe as me kërkesën e shoqërisë për profile të caktuara.

Mirëpo, janë maturantët që kanë nisur të vetëdijesohen pasi shteti ka dështuar të kufizojë kuotat e regjistrimeve nëpër drejtime që s’kërkohen në tregun e punës.

Kështu, i ka ndodhur pikërisht Departamentit të Filozofisë në Universitetin e Prishtinës.

Prej 100 vendeve që i kanë kërkuar me konkurs kanë konkurruar vetëm 27 kandidatë. Kanë mbetur 73 vende të lira.