82 të vdekur nga COVID-19 në Prishtinë – Nga komuna thonë se mund të mbyllen shkollat

82 të vdekur nga COVID-19 në Prishtinë – Nga komuna thonë se mund të mbyllen shkollat

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka njoftuar se 82 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me Coronavirus që nga shfaqja e dy rasteve të para në vend, njofton Insajderi.

Nushi bëri të ditur se aktualisht janë 18 zyrtarë të prekur me Coronavirus, tre prej tyre janë në vetizolim, ndërsa 15 prej tyre janë shëruar.

“Për fat të keq 82 persona i kemi pasur me fatalitet, sepse gjatë periudhës së korrikut dhe gushtit kemi pasur numër të madh të infektuarve në komunën e Prishtinës. Kjo nga arsyeja se numri i testimeve të cilat janë kryer nga IKShPK-ja nga këto klinikat që janë të licencuara nuk është i mjaftueshëm për të vlerësuar se sa është numri i saktë nëse krahasojmë me regjionin”.

“Jemi shteti i cili bënë testime më të vogla. Ndërsa zyrtarë komunal deri më tash i kemi 18 të infektuar. Aktualisht janë vetëm tre të infektuar dhe janë në vetizolim ndërsa 15 të tjerë janë shëruar dhe vijojnë rregullisht punën”, tha ai për EO.

Pas fillimit të vitit të ri shkollor janë shfaqur 10 mësimdhënës dhe 8 nxënës të infektuar me Covid-19.

Me këtë rast, Nushi kërkon nga prindërit që të mos grumbullohen kur sjellin fëmijët në shkollë, përndryshe do të detyrohen të mbyllin ndonjë klasë apo eventualisht shkollën.

“Sa i përket nxënësve tashmë ka filluar edhe viti i ri shkollor dhe situata është e tillë që i kemi pasur dhjetë mësimdhënës të infektuar nga të cilët i kemi dy drejtor të shkollës, dy punëtorë teknik dhe poashtu edhe 8 nxënës të infektuar. Ky numër nuk është i madh po që duhet të kemi kujdes në respektimin e masave”.

“Ajo çka po na brengos më shumë neve është mbledhja e prindërve në oborrin e shkollës duke i përcjell fëmijët për në shkollë e aty mund të ketë mos respektim të masave përkundër që po tentojmë me stafin teknik që të vendosim rend dhe rregull në këtë aspekt”.

“Ju kisha lut prindërve që të respektojnë masat në maksimum në mënyrë që të mos detyrohemi të mbyllim ndonjë klasë ose eventualisht edhe shkollën. Sipas ligjit të MASh nëse 5% të mësimdhënësve në një shkollë infektohen duhet që ajo shkollë të izolohet apo të mbyllet. Kjo pjesë e mësimdhënësve që janë të infektuar janë duke e vazhduar mësimin online”, shtoi ai. /Insajderi.com