88% e vajzave të komuniteteve RAE nuk janë të punësuara

88% e vajzave të komuniteteve RAE nuk janë të punësuara

OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” ka publikuar raportin “Përfshirja e Vajzave dhe Personave me Aftësi të Kufizuar nga Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, në Edukim dhe Punësim në Kosovë”.

Në komunikatën e dërguar për media, thuhet se sipas këtij raporti vetëm 20% e vajzave të anketuara kanë përfunduar vetëm disa vite të shkollës,  7% nuk kanë ndjekur kurrë shkollën, ndërsa vetëm 7% kanë përfunduar universitetin.

“Fenomeni i braktisjes së shkollës nga respondentët e këtij grupi ndikohet dukshëm nga mungesa e mbështetjes nga prindërit/familja e tyre në aspektin e arsimit, mungesa e interesimit për shkollim, mungesa e kohës për shkak të përgjegjësive të tjera familjare, martesës së hershme etj. 85% nuk kanë marrë pjese asnjëherë në trajnime profesionale”, thuhet në raport.

Sa i përket nivelit të punësimit të vajzave, del se 88 % nuk kanë qenë të punësuar, ndërsa vetëm 12% po. Shkalla e papunësisë së këtij grupi të synuar është shumë e lartë; përderisa sipas raportit, shqetësues mbetet diskriminimi etnik dhe ai gjinor gjatë procesit të rekrutimit.

Në këtë takim mori pjesë ambasadorja e Finlandës, Pia Stjernval, e cila theksoi se të gjeturat nga raporti ishin shumë shqetësuese dhe alarmuese për të gjithë ne, dhe se në këtë drejtim duhet të kemi veprime konkrete.

I pranishëm ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PSD, Driton Çaushi, i cili falënderoi organizatorër për inicimin dhe krijimin e një raporti të tillë dhe informimin e gjerë për të dhënat e dala.

Gjithashtu pjesmarrëse në takim ishte edhe Pirjo Säskilahti nga Helsinki Deaconess Institute, e cila falënderoi të gjithë për përkrahjen dhe krijimin e një raporti të tillë dhe shprehi brengen e thellë për të gjeturat e dala nga raporti.