9 policë në Gjakovë në vetizolim, veç 1 pozitiv me koronavirus

9 policë në Gjakovë në vetizolim, veç 1 pozitiv me koronavirus

Në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë gjithsejt 9 zyrtarë policorë janë në vetizolim, 3 prej tyre kishin pasur kontakt me dy persona nga Malisheva të cilët ishin arrestuar pasi kishin thyer masën e vetizolimit, e të cilët kanë rezultuar pozitiv në virusin COVID-19.

Vlen të theksohet se nga 9 policët që janë në vetizolim vetëm një prej tyre është pozitiv me koronavirus.

Kështu ka bërë të ditur për Reporteri.net Lumni Graishta drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.

“9 zyrtarë policorë janë në vetizolim në rajonin e Gjakovës. Vetëm një nga ta është pozitiv, i cili është në vetizolim në shtëpi, ku pozitiv kanë dale edhe 4 familjarë të tij. Kanë kaluar 15 ditë kur polici në fjalë është në vetizolim. Ai e ka gjendjen e mire shëndetësore dhe pritet që shpejt të bën edhe një here testin”, ka thënë Graishta.

Ai ka treguar se 3 prej policëve nga 9 sa janë gjithsej në vetizolim, kanë pasur kontakte me dy qytetarët e Malishevës që ishin arrestuar.

“Pas marrjes së informatës për thyerjen e ndalesës për qarkullim nga dy qytetarë të Malishevës, Policia Rajonale i është përgjigjur rastit dhe janë arrestuar të dy të dyshuarit dhe janë sjellë në stacionin policor në Gjakovë. Më pas, pas konfirmimit që të dy janë të prekur me virusin korona atëherë ne kemi kërkuar udhëzime nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike se çka të veprohet me 7 zyrtarët policor të cilët kanë qenë në kontakt me të dyshuarit, duke filluar nga momenti i arrestimit, transportimit e deri në qendrën e ndalimit në Stacionin Policor në Gjakovë. Për 4 prej tyre Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rekomanduar që të vetëizolohen për shkak se kontakti i tyre ka qenë më i afërt dhe rreziku i bartjes apo i transmetimit të virusit ka qenë më i madh. Por më pas IKSHP ka rekomanduar që nga 4 policët, veç 3 të vetizolohen, pasi njëri nuk ka pasur kontakte të afërta me personat e arrestuar që kanë dal pozitiv”, ka thënë Graishta.