Përse feston dy ditëlindje Mbretëresha e Britanisë?

Përse feston dy ditëlindje Mbretëresha e Britanisë?

Që prej marrjes së fronit, mbretëresha e Anglisë ka festuar dy ditëlindje. Ajo e vërteta është në 21 prill, që do të thotë se Elisabeta sot mbushi 94 vjeç.

Në qershor, do të kremtojë sërish. Që nga shekulli i 18-të, për monarkët britanikë mbahet dhe një e ashtuquajtur “ ditëlindje zyrtare”, e madje tendenca është të festohet më shumë ajo sesa data e vërtetë. Të dyja këto evente këtë vit megjithatë, do të jenë shumë më pak pompoze se zakonisht, për shkak të epidemisë së koronavirusit.

Arsyeja përse është vendosur një kremtim i dytë në verë është se askush nuk dëshiron ta festojë ditëlindjen në shi, dhe në Britani duket u konsiderua se mbreti e ka luksin ta zgjidhë këtë problem. Për këtë arsye, që prej vitit 1740, ditëlindja e monarkut, festohet dy herë.

Elisabeta merr zakonisht një përshëndetje tradicionale armësh në ditën e saj të lindjes, por për herë të parë në sundimin e saj 68 vjecar, këtë radhë duket se ajo do të mungojë. Në ceremoninë ekstravagante të qershorit, zakonisht rrugët përreth Buckingham Palace mbushen me kureshtarë e turistë ndërsa zhvillohet një paradë me 1.400 ushtarë, 200 kuaj dhe 400 muzikantë, ndërsa mbretëresha vetë do të vazhdojë të lëvizë me karrocë të mbyllur.