Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka paragjykuar rrethanat e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari.
Ai ka kërkuar që partitë politike të qëndrojnë “pa reaguar derisa të dalin ekspertët me raportet finale nga ekspertiza.”
Gjatë emisionit Info Magazina në Klan Kosova, Ferati ka thënë se e gjithë kjo situatë është duke u shfrytëzuar “për të krijuar mjegull”.
“Kushdo që ka qenë jo-kompetent dhe ka pasur deklaratë se çfarë ka ndodhur, ka gabuar duke folur”,” ka thënë ai.
Deputeti Ferati ka shtuar se partia e tij, ashtu sikurse edhe Lëvizja Vetëvendosje, “po bashkëndjenë me familjen Dehari dhe me Vetëvendosjen.”
I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ishte arrestuar më 30 gusht të këtij viti nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me zollë. Ai vdiq më 5 nëntor.
Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi që nga koha kur u dha lajmi për vdekjen e tij ka hedhur dyshime për rrethanat që kanë shkaktuar vdekjen. Ish-lideri i partisë Albin Kurti ka thënë se ai është vrarë brenda në qelinë e tij.
Në ditën e vdekjes së tij, ai nuk kishte dalë në shëtitjen e zakonshme në burg ndërsa ishte gjetur në qelinë e tij në gjendje të rënduar shëndetësore. Fillimisht, Nexhmi Krasniqi, Drejtor i Rajonit të Policisë në Prizren, kishte deklaruar se Dehari kishte vdekur nga medikamentet por që më vonë ky version është demantuar nga mjekët ligjorë, të cilat konstatuan se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e asfiksimit përmes një shishe plastike me mjaltë./Insajderi.com