Superliga e Kosovës, e 43-ta në Evropë për golat e shënuar

Superliga e Kosovës, e 43-ta në Evropë për golat e shënuar

Edhe pas pranimit të Kosovës në UEFA, Superliga e Kosovës vazhdon të vuajë të njëjtin problem, shënimin e golave. Kategoria e parë e futbollit të Kosovës, renditet në vendin e 43-të sa i përket mesatarës së golave të shënuar këtë edicion.

Në këtë aspekt, Superliga e Kosovës lë mbrapa vetëm dy vendet e tjera të rajonit, Shqipërinë dhe Malin e Zi, të cilat renditen në vendet 44 dhe 45 respektivisht, raporton Insajderi.

Sipas një raporti të Panorama-sport, bazuar në statistikat e të gjitha ligave evropiane, ajo e Kosovës ka një mesatare prej 1.95 golave të shënuar për ndeshje.

Skuadra që ka shënuar më së paku gola në 15 xhirot e këtij edicioni të superligës është Hajvalia, me vetëm katër gola të shënuar. Më së shumti gola të shënuar i kanë Ferronikeli dhe Trepça 89′ me nga 22 gola.

Liga me mesatarën më të lartë të golave në Evropë është ajo e Zvicrës, me 3.49 gola të shënuar për ndeshje, raporton Insajderi.

Ndërkohë që në listën e golashënuesve më të mirë të Europës bën pjesë edhe një shqiptar.

Azdren Llullaku është golashënuesi më i mirë në Rumani, pasi ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në plot 12 raste.

Në garën për “Këpucën e Artë” të kontinentit, ku golat shumëzohen me koeficientin që ka kampionati respektiv, lojtari i kombëtares shqiptare pozicionohet në vendin e 14- të. Në vendin e parë është Kaleb nga Estonia, i cili ka realizuar 25 herë, por që kampionati i tij tashmë ka përfunduar. /Insajderi.com