“Për mua krejt do ishit në burg” – Batusha thotë se u provokua nga prokurori

“Për mua krejt do ishit në burg” – Batusha thotë se u provokua nga prokurori

Aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batusha, e cila është njëra nga gjashtë aktivistët e dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës më 4 nëntor, ka thënë se është provokuar nga prokurori i rastit, Abdurrahman Islami, këtë të hënë.

Ndaj Batushës është vendosur një masë arresti shtëpiak për tre muaj, pasi i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit “për terrorizëm dhe frikësim të popullatës civile” më 30 gusht të këtij viti.

Në një intervistë dhënë televizionit Dukagjini, aktivistja e Vetëvendosjes pretendon se është provokuar nga prokurori Islami.

“Prokurori Abdurrahman Islami, më ka thënë: ‘për mua krejt do ishit në burg’”, është shprehur ajo.

Ajo gjithashtu është shprehur se është kërcënuar nga policia ditën e arrestimit, më 4 gusht. Ajo tha se ka pasur provokime edhe nga ana e hetuesve të rastit.

Për ditën kur ka ndodhur sulmi, Batusha ka thënë se ka qenë “duke pirë kafe në “Lagjen e Spitalit” në Prishtinë. /Insajderi.com