Së shpejti nuk do të konsiderohemi më si të varfër, thotë Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë “kohët po ndryshojnë “ dhe se së shpejti Kosova nuk do të konsiderohet më si vend i varfër.

“Jo moti, identitetin tonë e krijuam si të persekutuar, të shtypur, të varfër e të papunë. Sot, jemi shtet sovran, me normën më të lartë të rritjes ekonomike në këtë pjesë të botës, me një dinamikë të shpejtë të uljes së papunësisë”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

“Institucionet financiare ndërkombëtare po na porosisin të ngutemi të shfrytëzojmë fondet nga organizatat ndërkombëtare që financojnë vendet e varfra, sepse së shpejti nuk do ta plotësojmë këtë kriter, Kosova nuk do të konsiderohet vend i varfër”, ka shtuar tutje ai.

Dhe kjo, sipas Mustafës, do të bëjë që në fjalorin tonë politik të kemi një cilësim më pak dhe “një argument më shumë për pozitivet.”

Komentet e Mustafës vijnë pas publikimit të të dhënave për papunësinë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, që thotë se niveli i papunësië në vend është ulur për 9 për qind.  Aktualisht, sipas ASK-së, Kosova ka një shkallë prej 26 për qind të papunësisë.

Shifrat e ASK-së i ka quajtur si inkurajuese edhe Ministri i Punës, Arban Abrashi, i cili ka thënë se me buxhetin e ri prej dy miliardë eurove, ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen./Insajderi.com