Gazeta Shqip: “Fundjave Ndryshe” dhe Elvis Naçi mbledhin më shumë para se Qeveria

Gazeta Shqip: “Fundjave Ndryshe” dhe Elvis Naçi mbledhin më shumë para se Qeveria

Pa kaluar as 24 orë nga rënia e tërmetit që tronditi Shqipërinë dhe shënoi numrin më të lartë të viktimave në katastrofa natyrore të paktën në 40 vitet e fundit, ka pasur një solidaritet nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Shumë individë dhe organizata u janë bashkuar operacioneve humanitare, ndërsa nuk mungon edhe bamirësia në vlera monetare kryesisht e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve të vendit.

Shumë prej shqiptarëve jashtë kufijve të vendit kanë dhuruar donacione për shoqata dhe jo në numrat e llogarisë të publikuar nga Qeveria. Ka një mungesë besimi të theksuar të njerëzve tek Qeveria lidhur me bamirësinë e kësaj të fundit.

Dhe mesa duket kjo e ka një arsye. Sepse në kohë të ndryshme shumë donacione bamirësie janë dhuruar, por nuk kanë shkuar asnjëherë në destinacion.

Eshtë abuzuar me fondet dhe tashmë shqiptarët nuk zgjedhin më të dhurojnë në numrat e llogarisë së Qeverisë, por bashkëpunojnë me individë, apo organizata që kanë një historik pozitiv me fonde të dhuruara, apo ndihmë ndaj kategorive në nevojë.

Shifrat e grumbulluara deri më tani nga organizata të ndryshme janë të konsiderueshme. Gazetari Marin Mema ka arritur të grumbullojë një vlerë prej 1.2 milionë dollarë. Ndërsa fondacioni “Fundjava Ndryshe” deri më tani ka arritur të sigurojë një fond prej 1.4 milionë dollarë.

Elvis Naçi me fondacionin e tij Firdeus ka arritur të grumbullojë për viktimat e tërmetit deri më tani shumën e 555 mijë dollarëve. JOQ ka mundur të sigurojë një tjetër shumë të konsiderueshme. Plot 163 mijë dollarë janë grumbulluar në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti, e që kanë mbetur në mes të katër rrugëve.

Më pak vlerë ka arritur Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile, e cila deri më tani ka mundur të grumbullojë kryesisht nga emigrantët shqiptarë në Itali deri më tani vlerën e 112 mijë eurove.

Por këto shifra të fondacioneve dhe shoqata të mësipërme janë vetëm në harkun kohor të dy ditëve të fundit, ndërsa duket se trendi është shumë më pozitiv.

Krejt e kundërta ndodh me numrin e llogarisë së Qeverisë të publikuar online në e-albania. Vlerat e dhuruara aty janë shumë herë më pak se ato të dhëna për shoqatat. Madje, administrata është detyruar të dhurojë përmes e-albania pikërisht për të rritur vlerën dhe në një farë mënyrë për të konkuruar shoqatat që po shënojnë shifra rekord të bamirësisë.

Edhe Policia është përfshirë në urdhrin për të depozituar donacione në numrin e llogarisë së Qeverisë. Madje, janë caktuar edhe shifrat e dhurimit nga 20 mijë deri në 50 mijë lekë të vjetra për çdo punonjës policie.