A do të diskutojnë Thaçi e Vuçiq sot për marrëveshjen finale?

A do të diskutojnë Thaçi e Vuçiq sot për marrëveshjen finale?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot në kuadër të fazës finale të dialogut të Brukselit, ku pritet ta konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, shkruan sot  “Zëri”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot do të takohet me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq për të konfirmuar gatishmërinë për intensifikimin e fazës finale të dialogut ndërmjet të dyja shteteve. Kjo është bërë e ditur nga Zyra e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini. “Në takim dy liderët pritet të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane”, thuhet në këtë njoftim.

Derisa Zyra e Presidentit të Kosovës nuk ka njoftuar nëse sot presidenti Thaçi do ta shpalosë idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, analistët politikë thonë se ka gjasa që edhe kjo temë të jetë pjesë e takimit. Në anën tjetër, partitë politike thonë se Thaçi nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë se dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë. Pavarësisht mospajtimeve mes pushtetit dhe opozitës në lidhje me procesin e dialogut, Selamanaj ka thënë se ende ka hapësirë dhe vullnet të arrihet një konsensus dhe të ketë një rezolutë të përbashkët të të gjitha partive në lidhje me procesin e dialogut.