A do të ketë guxim Gjykata t’i caktojë masë paraburgimi Milaim Zekës?

Pas fletarrestit të lëshuar nga Prokuroria e Shtetit për Milaim Zekën të martën, dy ditë më vonë fati i Milaim Zekës mbetet në dorën e Gjykatës Themelore të Prishtinës - institucion që po ashtu, në mënyrë indirekte, është kërcënuar nga Milaim Zeka. 

A do të ketë guxim Gjykata t’i caktojë masë paraburgimi Milaim Zekës?

Pasi kërcënoi prokurorin Afrim Shefkiu, që po heton rastin e mashtrimit të mbi 900 kosovarëve me viza pune për Gjermani, Milaim Zeka deklaroi publikisht se nëse do të dënohet do t’i përndjek ligjërisht edhe kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezin dhe presidentin Hashiim Thaçi.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, i cili akuzohet se në bashkëveprim me partnerin e tij në biznes, Ilir Krasniqin, mashtroi 920 qytetarë të Kosovës me viza pune, u shpreh të hënën në televizionin T7 se prokurorin Afrim Shefkiu “do ta ndjek edhe me kanun, e privatisht”.

Kërcënimet e deputetit Zeka ndaj Afrim Shefkiut, erdhën disa ditë pasi prokurori special i Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Zekës për veprën penale të mashtrimit dhe pastrimit të parave.

Mirëpo, dy ditë pasi kërcënoi publikisht prokurorin Shefkiu, Zeka u arrestua në Prishtinë nga Policia e Kosovës për veprën penale të kanosjes.

Madje, Prokuroria Themelore e Prishtinës i kërkoi sot Gjykatës Themelore të Prishtinës që Zekës t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Po, ai [Milaim Zeka, v.j] është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë. Arsyeja është kanosje përmes mjeteve të informimit”, u shpreh zëvendësprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha, në një prononcim për Kallxo.com të mërkurën.

Seanca e parë ndaj Milaim Zekës për rastin e kanosjes së prokurorit Shefkiu do të mbahet të enjtën. Por, a do të ketë guxim Gjykata Themelore e Prishtinës të aprovojë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për deputetin Zeka?

Pas fletarrestit të lëshuar nga Prokuroria e Shtetit për Milaim Zekën të martën, dy ditë më vonë fati i Milaim Zekës mbetet në dorën e Gjykatës Themelore të Prishtinës – institucion që po ashtu, në mënyrë indirekte, është kërcënuar nga Milaim Zeka.

Rastin e tij për mashtrimin me viza, deputeti Zeka e ka cilësuar si të pabazë. Ai ka thënë se do t’i hakmerret atyre që do ta dënojnë, pasi sipas tij, për këtë rast ai po paragjykohet nga shoqëria si “hajni i vizave”.

“Juridikisht penalisht, privatisht dhe me kanun deri në vdekje do t’i ndjek, Afrim Shefkiun, Aleksandër Lumezin dhe Hashim Thaçin”, tha Zeka në një intervistë për Kallxo.com të martën, duke i qëndruar kërcënimeve që i kishte drejtuar një natë më parë prokurorit Shefkiu.

Ndërkaq, të hënën Zeka kërcënoi publikisht vetëm prokurorin Shefkiu. Nuk i përmendi kryeprokurorin Lumezi e presidentin Thaçi.

“Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tëm me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, tha deputeti Zeka të hënën në T7.

Pavarësisht kërcënimeve publike ndaj prokurorit Shefkiu, Prokuroria e Shtetit priti dy ditë që të lëshonte fletarrest për Zekën. Arrestimi i Zekës u ekzekutua nga Policia e Kosovës, një ditë pasi Insajderi raportoi për “frikësimin” e Prokurorisë para deputetit që linçoi prokurorin që e ngriti aktakuzën ndaj tij.