A do të ketë pozitë te FFK-ja, flet Gramoz Vokrri për Insportin

A do të ketë pozitë te FFK-ja, flet Gramoz Vokrri për Insportin

Gramoz Vokrri, djali i ish-presidentit të ndjerë të FFK-së dhe legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, ka folur për Insportin në gala mbrëmjen që u mbajt mbrëmë me rastin e 4-vjetorit të pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Në këtë gala mbrëmje, pikërisht gjashtë muaj pas vdekjes së ish-kreut të FFK-së, i cili ndërroi jetë në muajin qershor, ai u nderua me mirënjohjen Post-Mortum, të cilën e pranoi djali i tij, Gramozi.

“Ju uroj 4-vjetorin e pranimit të KOK-ut, ju falënderoj të gjithëve për këtë çmim. Është nder dhe kënaqësi kur përkujtohet çdo herë vepra e babait”, tha Gramoz Vokrri kur e pranoi çmimin.

Vokrri foli edhe për Insportin, ku tha se të pranosh këtë çmim është ndjenjë e përzier.

“Ishte ndjenjë e përzier natyrisht, sepse përkundër mërzisë është edhe kënaqësi të festosh evenimente të tilla, sepse janë data të rëndësishme për popullin tonë”, tha Gramoz Vokrri në intervistë për Insportin.

“Kemi vuajtur shumë, unë e di përmes babit, për t’u anëtarësuar futbolli, andaj është e njëjta gjë edhe për Komitetin Olimpik, kështu që ndjenja është e përzier”, shtoi ai.

I pyetur për zhvillimet e fundit në futboll, Vokrri tha se gjatë 6 muajve të fundit, zhvillimi më i madh padyshim se është suksesi i Kosovës në Ligën e Kombeve.

“Zhvillimi më i madh muajve të fundit në futboll është suksesi i arritur prej Kombëtares tonë, djemtë kanë treguar karakter të veçantë, dhe shpresoj se do të vazhdojmë kështu”, tha ai.

I pyetur se nëse do të jetë pjesë e rrugëtimit drejt sukseseve në të ardhmen, në federatën të cilën e udhëhoqi babai i tij, Vokrri tha se është në bisedime me krerët e FFK-së.

“Shpresoj, jemi duke biseduar me krerët e FFK-së, jemi duke e pritur edhe organogramin e UEFA-s, besoj që e gjejmë një pozicion që i kënaq të gjitha palët”, përfundoi Gramoz Vokrri.

Videon mund ta gjeni duke klikuar KËTU