A do të shkojë Prishtina në zgjedhje? – Gjykata Kushtetuese deklarohet për pyetjen e Thaçit

A do të shkojë Prishtina në zgjedhje? – Gjykata Kushtetuese deklarohet për pyetjen e Thaçit

Gjykata Kushtetuese është në fazën përfundimtare për të nxjerrë një vendim nëse Prishtina do të shkojë sërish në zgjedhje, ose jo. Shpend Ahmeti do të vazhdojë të qeverisë, ose do të shkojë sërish në balotazh. Ndërkaq, Presidentit Thaci i duhet të pres akoma për të marrë përgjigje rreth pyetjes së tij për marrëveshjet ndërkombëtare.

Veton Dula, nga Zyra për Informim e Gjykatës Kushtetuese, ka konfirmuar se është në fazën përfundimtare.

“Lënda rreth zgjedhjeve në Prishtinë mund të them se është në fazën përfundimtare, ndërsa të tjerat janë akoma në fazat shqyrtuese”, ka thënë të martën Dula për Express.

Sipas asaj që raporton ky medium gjatë kësaj jave Kushtetuesja do të dalë me një vendim rreth asaj se a ka pasur shkelje ose jo në balotazhin e zgjedhjeve në Prishtinë, ku Shpend Ahmeti mposhti Arban Abrashin e LDK-së me 365 vota më shumë.

Abrashi e kishte denoncuar në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se ka pasur parregullësi që e kanë ndihmuar ish-kandidatit të Vetëvendosjes të zgjedhet kryetar i Prishtinës në dhjetor të vitit 2017.

Për më shumë se një vjet kur është pritur që Kushtetuesja të dalë me një konstatim, ish-kandidati i LDK-së, tash deputet, është shprehur i bindur se kryetqyteti do të shkojë së shpejti në zgjedhje.

Madje, ai është deklaruar për një rekomandim që sipas tij, ia ka bërë Këshilli i Venecias, Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, ka pasur shkelje gjatë zgjedhjeve.

Mirëpo, këtë e kishte demantuar menjëherë Gjykata, duke thënë se nuk ka marrë asnjë rekomandim nga një institucion ndërkombëtar rreth cështjes në fjalë.

E, nga Gjykata Kushtetuese po pritet interpretimi i një nëni për të cilën ka bërë kërkesë presidenti Hashim Thaci.

Ai i ka kërkuar organit më të lartë juridik në vend, që të interpretojë nenin 18 të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht pjesën e cila ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pyetja e Thaçit ishte: A konsiderohen të ratifikuara marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti, pa i çuar fare në Kuvend dhe pa miratimin e deputetëve me 2/3 e votave.

Dula thotë se interpretimi i pyetjes së Presidentit nga Gjykata Kushtetuese, e adresuar në muajin shtator, është akoma në fazë shqyrtuese dhe se deri më tani, më përpara se lëndët e tjera, është vetëm çështja e zgjedhjeve në Prishtinë.