Kundërshtarët

A do t’i përjashtojë LDK-ja deputetët që s’e votuan Hotin kryeministër?

Disa deputetë të LDK-së nuk e votuan Qeverinë Hoti. Në mesin e tyre edhe Vjosa Osmani. Tani ka lajme se ata mund të përjashtohen nga partia. Driton Selmanaj thotë se mundësia e përjashtimit ekziston edhe me norma statutare të partisë.

A do t’i përjashtojë LDK-ja deputetët që s’e votuan Hotin kryeministër?

Për anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët dalin kundër partisë ekziston një normë statutare e cila mundëson edhe përjashtimin e tyre, ka deklaruar Driton Selmanaj, kur u pyet se a ekziston mundësia që deputetët që votuan kundër qeverisë të përjashtohen.

I ftuar në emisionin Pressing në T7, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Avdullah Hotit, shtoi se megjithatë nuk mendon se situata në këtë rast është e tillë që të veprohet përkitazi me atë normë brenda statutit të LDK-së.

“Partia me instrumentet e brendshme duhet te vendosë se si të sillet, por nga ajo që unë kam parë është se në LDK shumica e njerëzve ia përcaktojnë vetës fatin politik”.

Megjithatë, ka shtuar Selmanaj, “mendimi im personal ka qenë që nga fillimi që ne e kemi një normë që për personat që dalin kundër partisë mund të ndërmerren disa masa madje deri te përjashtimi. Normat o duhet të respektohen o të hiqen. Por unë mendoj se tash nuk jemi në këtë situatë”.

Gjatë ditës së sotme kanë qarkulluar disa lajme se në LDK tashmë po flitet për përjashtimin e deputetëve që nuk e votuan qeverinë e kandidatit që vjen nga partia e tyre, në mesin e të cilëve është edhe deputetja më e votuar nga LDK, Vjosa Osmani, por Selmanaj ka pohuar se “nuk kam informacione të tilla”./Insajderi.com