A do t’ua japë Qeveria 300 mijë euro veteranëve për deti?

A do t’ua japë Qeveria 300 mijë euro veteranëve për deti?

Shkuarja e veteranëve në pushime me para të qytetarëve, ka filluar të kthehet në traditë tashmë. Edhe këtë vit, veteranët po i kërkojnë rreth 300 mijë euro nga Qeveria e Kosovës për të shkuar në deti. Me këto para parashihet që të shkojnë në pushime rreth 1 mijë e 500 veteranë nga e gjithë Kosova. Por, ende nuk dihet nëse do të iu plotësohet një kërkesë e tillë. Këtë nuk po e dinë as në Zyrën e Kryeministrit.

Rreth 1 mijë e 500 veteranë janë në pritje të parave për të shkuar në deti. Por, jo me para të tyre.

Nëse gjithçka shkon mirë, ata pritet të nisen për pushime në qershor, derisa pushimet e tyre pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit hiç më pak se 300 mijë euro.

Por, ende nuk dihet nëse një kërkesë e tillë do të iu aprovohet. Në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thonë se nuk e besojnë që kërkesa do të iu aprovohet.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati i ka thënë Gazetës Express se për të shkuar në deti kanë kërkuar që nga janari i këtij viti.

“Nuk kemi ba naj kërkesë të veçantë, por kjo për deti është paraparë me kërkesën që e kemi dorëzuar në Qeveri në fillim të vitit. Nuk jemi taku me najkënd tjetër prej Qeverisë, përveç Gazmend Sylës për këtë çështje. Drejt më të thanë nuk po besoj që ka me na u miratu, se po shihet edhe buxheti i Kosovës, po edhe s’po dojmë me u ba të tepërt”, ka thënë ai.

Deklaron se deri tani, Qeveria e Kosovës u ka ndarë mjetet vetëm për shkuarjen nëpër banja. Shton se nëse iu miratohet edhe kërkesa për deti, do të përfitojnë 1 mijë e 500 veteranë.

“Në fillim të vitit patëm ba kërkesë për deti, për banjë edhe për shërim të veteranëve që gjenden nëpër spitale. Shyqyr që këto për banja, na i kanë dhanë. Tash kanë me shku 300 veteranë. E këta për deti që bahet mirë, po s’po besojmë. Nëse bahet kanë me shku rreth 1 mijë e 500 veteranë”, ka thënë Gucati për Express.

Ndërkohë, as në Qeveri ende nuk e dijnë nëse kërkesa për deti do të aprovohet.

Në Zyrën e Kryeministrit deklarojnë se ata kanë pranuar vetëm një kërkesë për mbështetje financiare për nevoja shëndetësore dhe nevoja të tjera në vlerë rreth 1 milionë euro.

Deri tash deklarojnë se kanë ndarë rreth 390 mijë euro. Ndërkohë, kërkesa për deti, ende nuk dihet nëse do të iu miratohet.

“Në fillim të vitit organiztata i kanë dorëzuar një kërkesë Qeverisë për mbështetje financiare rreth 1 milionë euro për nevoja të ndryshme shëndetësore dhe nevoja të tjera. Qeveria me vendim i ka ndarë në prill rreth 390 mijë euro, si përgjigje e pjesshme ndaj kërkesës së tyre. Kërkesë të posqame për shkuarje në deti nga kemi pranuar deri tani”, përgjgje nga Zyra e Kryeministrit.

Ndryshe edhe vitin e kaluar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me para të buxhetit të shtetit kanë shkuar në pushime dhe në banjë.

Gucati ka thënë se me 300 mijë euro i kanë kryer të dyja rehabilitimet.

“Vitin e kaluar kemi kërkuar 360 mijë euro por kërkesa jonë është realizuar me 300 mijë euro pasi 60 mijë euro nuk janë realizuar dhe ne me këtë shumë i kemi dërguar 1 mijë e 700 veteranë në deti dhe 300 të tjerë në banjë”, ka thënë ai