A e ka kaluar LDK fazën e agresivitetit? – përgjigjet kryetari i degës së kësaj partie

A e ka kaluar LDK fazën e agresivitetit? – përgjigjet kryetari i degës së kësaj partie

Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Svarqa ka thënë se subjekti që ai përfaqëson ka kaluar fazën e agresivitetit, por që gjendja e tillë do të ngelet në historinë e saj, ndonëse ka nxjerrë mësimet e veta.

”Favorizoj marrëveshjen e brendshme. Statuti është i tillë, është në fuqi dhe nuk është e drejta e rezervuar dhe s’ka mundësi të votohet vetëm për një kandidat. Të gjithë janë kuadro të pakontestuara, edhe për shkak të kaluarës së tyre të lavdishme sa i takon fitoreve të LDK-së. Jam shumë i sigurt që kushdo që del fitues, kryetari i ardhshëm i LDK-së, do ta ketë mbështetjen e të gjithë kryetarëve të degëve dhe do t’i hapë rrugë fitores së LDK-së në zgjedhjet e ardhshme nacionale. LDK e ka kaluar fazën e vetë-agresivitetit, ka nxjerrë vet mësimet e veta dhe jam i sigurt që do të mbesin në historinë e saj jo të mirë por që e cila nuk do të përsëritet më asnjëherë”, ka thënë ai në klankosova.

Sfarqa ka thënë se është legjitime që LDK sikurse çdo parti tjetër të ketë një marrëveshje të brendshme.

”Në rast se arrihet te një marrëveshje e brendshme për të pasur një kandidat të përbashkët do të punojë me përkushtim për fitoren e tij. Është legjitime që LDK sikurse çdo parti tjetër të ketë një marrëveshje të brendshme. E ardhmja e LDK është përcaktuese edhe për të ardhmen e Kosovës. Ky është proces i brendshëm. Nuk do të thotë që lideri të jetë kandidati për kryeministër”, thotë Svarqa.

Ai ka theksuar se kushdo që do ta marrë primatin e të parit të LDK-së, do të jetë fitore për këtë parti.

”Me të gjithë të tjerët që kam pasur përvojë bashkëpunimi, asnjëherë nuk kam ndonjë mendim përjashtues për secilin ndaj tyre. Brenda LDK-së secili e ka vendin e vet dhe peshën e vet. Besoj shumë që do të ndodhë një marrëveshje, por edhe shkuarja deri tek kutitë e votimit është një marrëveshje. Me fitoren e ndonjërit prej tyre cilido që është ai do të jetë fitore e Lidhjes Demokratike”, ka pohuar ai.