A është milioner Agim Ademi? Kjo është përgjigja e numrit një të FFK-së

A është milioner Agim Ademi? Kjo është përgjigja e numrit një të FFK-së

Pasi që bëri të ditur se nuk e merr pagën që i takon presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi tha se ai qëndron mjaft mirë financiarisht nga bizneset e veta.

I ftuar në emision sportiv në T7, “Favorit”, sonte është presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për të diskutuar për gjasat e Kosovës për kualifikim në EURO 2020, dyshimet për keqpërdorime me biletat e Kosovës, pozitën e tij si kryetar i FFK-së dhe gjendjen brenda Federatës.

Agim Ademi është i njohur në mesin e qytetarëve për bizneset e tij të shumta, të cilat kanë ndikuar që ai të mos ketë nevojë ta marrë pagën e caktuar për pozitën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ai tregoi se qe disa vjet merret me ndërtime të banesave kolektive në Prishtinë dhe me një bankë mikrofinanciare të tij që e kishte të lidhur me biznesin ndërtimore. Po ashtu, në emisionin “Favorit” në T7 Ademi tha se nën pronësi e ka edhe një rrjet të lokaleve.

“Unë merrem  për rreth 20 vjet me ndërtime dhe kam ndërtuar shumë ndërtesa në Prishtinë, por edhe në vende të tjera. E kam pasur një bankë mikrofinanciare, të cilën e kam lidhur me kompanitë me të cilat kam punuar”, ka thënë Ademi në “Favorit”.

“E kam edhe një rrjet lokalesh, të cilat tash një pjesë të tyre i kam me qira. Këto e bëjnë në njëfarë mënyrë atë pjesën time, më punojnë edhe familja”.

I pyetur se a është milioner, Ademi ka thënë se preferon të mos flasë për shuma parash.