Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, refuzoi kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, për të raportuar në Kuvendin e Kosovës, me arsyetimin se deputetët e partive janë të angazhuar në Epopenë e UÇK-së dhe praktikisht është e pamundur të mbahet seanca e Kuvendit, shkruan Gazeta Insajderi.
Mirëpo, shefat e grupeve parlamentare kanë një shpjegim tjetër për kërkesën e presidentit Thaçi, për t’i informuar deputetët me zhvillimet e fundit.
Ata nuk kanë dashur të flasin për argumentin e kryetares së Kuvendit, se deputetët janë të angazhuar, porse kërkesën e presidentit e kanë quajtur jo të duhur.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë për Gazetën Insajderi, se Kuvendi duhet të thërras seancë në çdo kur presidenti e kërkon atë, në qoftë se ajo kërkohet në mënyrë urgjente.
“Presidenti e ka dërguar një letër sot për sot që është e pazakonshme. Presidenti e ka në të drejtën e vet kushtetuese, neni 69 pika 4 mund të thërras seancë të jashtëzakonshme. Kur ta thërret seancën e jashtëzakonshme ajo me së largu mbahet brenda 48 orëve. Por zakonisht është mbajtur kur e ka ftuar propozuesi. Është respektuar kërkesa e tij”.
“Nëse presidenti dëshiron të thërras seancë të jashtëzakonshme e ka të drejtën e vet kushtetuese të kërkoj seancë të jashtëzakonshme. Deputetët e kanë në diskrecionin e tyre a dëshirojnë të marrin pjesë e ajo, por seanca duhet të mbahet. Seanca thirret, kryesia thirret në mënyrë urgjente, thirret seanca zakonisht në kohën që propozon presidenti, ose propozuesi”, theksoi Gashi.
Meqë kërkesa e presidentit nuk ishte për seancë të jashtëzakonshme, por seancë të rregullt, sipas Gashit, kjo tregon se kreu i shtetit nuk ka dashur të mbahet fare kjo seancë, por ka bërë një lojë politike.
“Presidenti si duket nuk ka dashur të mbahet seanca, ka dashur të bëjë lojë. Sepse nuk besoj që ai nuk e ka ditur referencën kushtetuese, që e ka nenin 84 pika 30 që është për raportim vjetor. Nëse do të bëjë raportim vjetor është tjetër gjë, nëse donë që ta informojë për një çështje të jashtëzakonshme Kuvedin, është tjetër gjë. Prandaj, këto tjerat janë të parëndësishme”, tha Gashi.
Ndërsa, ka refuzuar të komentojë këtë qështje shefi i gripit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili edhe pse njëherë pranoi të flas, kur iu shtrua pyetja, tha se nuk ka kohë.
“Jo, jo nuk është punë telefoni kjo… jo, jo se as s’po e kuptoi pyetje edhe jam i zënë për besë”, tha shkurt Selimi.
Edhe shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk e ka arsyetuar mos thirrjen e seancës sipas kërkesës së presidentit Thaçi, duke thënë se sipas agjendës nesër e kanë një seancë.
“Kemi me kanë në seancë solemne qysh është paraparë me protokoll të shtetit, kush donë me ju bashkëngjite asaj çka është organizuar”, tha shkurt Hamza.
Presidenti Thaçi sot në mëngjes kërkoi nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, që ta thërras seancën në të cilën do t’i informonte deputetët dhe qytetarët për vizitën dhe takimet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, as refuzimit nga kryetarja Osmani që të ftonte seancën, presidenti Thaçi, thirri konferencë për media ku foli gjerë e gjatë për vizitën e tij në ShBA dhe takimet që ka pasur me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. /Insajderi.com