fbpx

A janë vërtetë kaq patriotë kosovarët e pasluftës?!

A janë vërtetë kaq patriotë kosovarët e pasluftës?!

Shkruan Ben Andoni.

Po t’u besosh fjalëve të liderëve kosovarë, patetizmave të zakonshme të tyre dhe koreografisë grafike, Kosova është vendi më patriotik i Ballkanit.

Gjithsesi, mjaftojnë situata, si kjo që ka ndodhur me dorëheqjen e ish-kryeministrit Haradinaj të kuptosh se patriotizmi është maskë në Kosovë dhe për fat të keq, kjo sjellje po bjerr nga ditë në ditë dhe respektin për luftën e bërë.

Është e vërtetë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet të japi një lloj vlerësimi, fakt që gjithsesi nuk varet direkt prej saj. Por brenda çdo lloj matrice, ajo që i bashkon të gjitha është morali, ai që përbën thelbin e kulturës kushtetuese të një vendi dhe mekanizmi që i liron realisht ngërçe të tilla.

Në fakt deri më tani nuk i është drejtuar askush teksa partitë duket se kanë filluar vëzhgimin e njëra-tjetrës sa i përket pazareve, kurse presidenti i ka dhënë një mundësi tjetër PAN-it të zgjedhë, bash formacionit që e ka futur vendin në këtë krizë edhe pse Haradinaj, zgjedhja e tyre, po mbush më shumë se dhjetë ditë që ka dhënë dorëheqjen.

Duke perifrazuar ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani: “Arsyeja kryesore e ngërçeve politike që kanë lindur dhe lindin në Kosovë, si ky që ka nisur, gjendet në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në sistemin e saj zgjedhor dhe në llojin e demokracisë kushtetuese që promovon ajo. Të dy këto aspekte të Kushtetutës promovojnë një sistem vlerash dhe parimesh kushtetuese që janë thellësisht civilizuese dhe perëndimore e liberale, në ndërkohë që kultura kushtetuese dhe politike kosovare në thelb është feudale, në aspektin social dhe të përfaqësimit politik”.

Në kohën kur vendi ka nevojë për një zgjidhje dhe që presidenti Thaçi duhej të interpretonte disi, ai ka vendosur në gjumë institucionet me një qëllim të dukshëm për ta shtuar amullinë në vend dhe mbi të gjitha për të anashkaluar situatën e vështirë ekonomikë në vend me një gjysmë zgjidhje.

Ajo që besojnë njerëzit, të cilët e njohin Kosovën, është se zgjedhjet e jashtëzakonshme, ku vetëm Vetëvendosja nuk është provuar deri më tani, nuk është se do të ndryshojnë ndonjë gjë të madhe. Kurdoherë LDK dhe PDK do të jenë në pushtet, falë makinacioneve të numrave dhe kurrë nuk do vendosë vullneti i njerëzve, që më shumë shkojnë qorrazi në zgjedhje, njësoj si në Shqipëri. Në një farë mënyre Kosova ka dhe do të ketë edhe për shumë kohë fytyrën institucionale të këtyre dy partive, që po e fusin në batak prej vitesh. Gjatë drejtimit të tyre, Kosova është përballur me disa nga gjërat më të dhimbshme për historinë e saj të re, ndërkohë që de jure e ka zhvendosur vëmendjen kinse të dialogu me Serbinë.

Ky dialog si do që të zhvillohet nuk është se bën shumë për Kosovën ose të paktën ka treguar kështu. Ashtu si në raste të tjera, por edhe në rastin e fundit (paçka mungesës së interpretimit të Kushtetueses), Kosova me atë lloj mentaliteti demokratik ka pak gjasa të ndryshojë. Kështu, duke besuar në atë që mungon, liderët e Kosovës ka ardhur koha të jenë më të ndershëm me veten e tyre dhe pastaj me vendin e tyre, duke i dhënë mundësi kështu pas ankimimeve që edhe Kushtetuesja e tyre të jetë më profesionale në interpretime si këto të tanishmet. Fatkeqësisht askush nuk iu drejtua sepse askush nuk di si të menaxhojë interesin personal para atij shtetëror. Dhe, ndodh si me Haradinajn, që s’është kryeministër dhe vepron si i tillë, pasi e di mirë se që të bëhen zgjedhjet, KQZ-ja e Kosovës duhet të ketë një buxhet që e vendos ekzekutivi, paçka çfarë statusi ka një i tillë në ditët që po flasim.

Me çfarë duket, askush nuk e ka seriozisht në Kosovë, sepse politikanët e kanë mbërthyer ashpër pas qerres së tyre, që s’të përcjell askund. Po cili do e nxjerrë vendin nga qerthulli? Vallë të jetë kaq i vështirë interpretimi i ligjit në Kosovë?! Po, derisa liderët të kenë fytyrën e këtij brezi politikanësh që mbart Kosova. Ndaj kosovarët e pasluftës, që drejtojnë vendin. janë gjithnjë e më pak patriotë…dhe shumë më tepër demagogë./Javanews