A mund të jenë njerëzit fetar pa qenë të ngurtë?

Shkruan: Besart Shala

A mund të jenë njerëzit fetar pa qenë të ngurtë?

Qëndrimi rigjid dhe jo fleksibël i shumë njerëzve fetar, na bënë të mendojmë nëse besimtarët mund të jenë fetar pa qenë të ngurtë.

Njëherit, rrjedhimisht shtrohet pyetja se cili atribut tenton të zhvillohet fillimisht tek njeriu: fetaria apo ngurtësia? A pasqyrojnë këto cilësi njëra-tjetrën apo mos është raporti mes tyre, shkak dhe pasoj! A mund të jenë besimtarët fetar nga dashuria, apo është frika ndaj Zotit një parakusht për fetarinë? Pa marrë parasysh se cilin libër të shenjtë e besojnë njerëzit, ngurtësia dhe religjioni shpesh herë shoqërojnë njëra-tjetrën në praktikë.

Zoti i Madhërishëm ka krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë dhe ekskluzive me besimtarët, pa u deleguar kompetenca të veçanta për ndërmjetësim njerëzve të tjerë; individët janë personalisht përgjegjës për mënyrën të cilën ata zgjedhin të jetojnë jetën e tyre, dhe asnjë person nuk e ka kompetencën e ndërmjetësimit mes Zotit dhe njeriut. Kjo përfshinë predikuesit, të cilët përmbushin një rol konstruktiv në shpjegimin sa më të mirë të feve, por sigurisht që nuk kanë të drejtë të imponojnë botëkuptimet e tyre personale të fesë mbi besimtarët.

Të qenurit fetar është një kënaqësi shpirtërore për njeriun. Arritja e statusit të besimtarit të vërtetë kërkon një kuptim gjithëpërfshirës të fesë, këtu kanë një përparësi njerëzit me mendje të hapur ndaj personave mendje ngushtë. Ngurtësia është padyshim një defekt njerëzor. Ajo bënë që shumë njerëz të diskutojnë intensivisht një çështje të caktuar, pa e kuptuar plotësisht thelbin e saj, pavarësisht se për çfarë çështje bëhet fjalë. Është një gjendje ku njerëzit izolojnë vetën në dëm të përvetësimit të dijes së vërtetë. Disa thonë se të qenurit fetar kërkon një respektim shumë të disiplinuar të ritualeve fetare, të cilat kërkojnë një mënyrë të ngurtë jetese.

Në fakt, shumë njerëz që janë mjaft të disiplinuar në punën e tyre, si në rutinat dietetike ose atletike, nuk kanë mendësi të ngurtë. Për më tepër, shtrohet pyetja se cila vlerësohet më tepër nga librat e shenjtë: praktikimi i rreptë i një rutine të caktuar nga frika apo praktikimi i së njëjtës rutinë për të përmbushur njerëzit shpirtërisht nga dashuria? Vështirë që dashuria mund të bashkohet me ngurtësinë. Predikuesit dhe besimtarët në përgjithësi që kanë personalitete të këndshme, kanë pëparësi, dhe janë më të aftë të arrijnë më me shpejtësi dhe më me efikasitet tek ata që kërkojnë ta kuptojnë më mirë fenë e tyre. Predikuesit fetar me personalitet të ashpër mund të kenë pasues të shumtë, mirëpo ata mbledhin pasuesit e tyre me urdhëra e vrazhdësi, e jo me dashuri e urtësi. Dhe ky reflektim i ngurtësisë dhe vrazhdësisë transmetohet tek besimtarët, dhe përvetësohet nga ana e atyre që i ndjekin këta predikues. Njëherit kjo shpie edhe deri tek radikalizmi dhe ekstremizmi fetar. Për fat të keq, njerëzit fetar me personalitet të këndshëm janë të rrallë, ngase në shumë kultura besohet gabimisht se ngurtësia gjeneron më shumë respekt, dhe prandaj konsiderohet se është më e përshtatshme për krijimin e lidhjes së kërkuar fetare.

Ngurtësia është një defekt kulturor i mbështetur nga pikëpamjet e gabuara të shumë besimtarëve fetar anembanë botës. Rreziku i qartë është se kjo mund të shkaktojë që njerëzit të grumbullojnë njohuri të rreme, që i përshtaten më mirë personaliteteve të tyre të ngurta por gjithnjë në kurriz të të kuptuarit të vërtetë të fesë së tyre. Kjo mund të largojë pa dashje shumë njerëz nga feja e tyre. Në fakt, ngurtësia është një tipar që ne duhet ta heqim krejtësisht nga jeta e jonë, nëse aspirojmë të jemi besimtar e fetar të mirë.