
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë e ashpër në kritikat e saj se shteti i Kosovës nuk ka arritur që të përmirësojë kushtet e punëtorëve.
Përmes një komunikate për media me rastin e Ditës së Punëtorëve, AAK ka thënë se “shkelja e të drejtave të punëtorit fillon qe nga momenti që punëtori punësohet”.
“Punësimi bëhet pa kontrata të punës, me orare të stërzgjatur 10-12 orë, duke mos u kompensuar puna jashtë orarit të punës. Punëtorit i ndërpritet marrëdhënia e punës pa paralajmërim nga punëdhënësi. Gjithashtu të drejtat e punëtorëve në Kosove shkelen edhe kur punëtorëve nuk ju paguhet as Trusti Pensional ,sigurimi shëndetësor,pushimi i lehonisë të drejta këto të garantuara me ligjet në vend”, ka thënë AAK, duke numëruar edhe shkelje të tjera që sipas tyre ndodhin në vendet e punës.
Por, vetë AAK ka në kryesinë e saj zyrtar që në fakt në biznesin që ai drejton, nuk respektohen të drejtat e punëtorëve.
Nënkryetari i kësaj partie, Gazmend Abrashi, që është pronar i marketeve “Maxi”, kishte vendosur në një rast ë të mos ua japë të plotë në euro pagën punëtorëve të tij. Ai I ka detyruar punëtorët që për një pjesë të pagës të marrin mallra në marketet e “Maxi”-it.
Veprimi i Abrashit ishte cilësuar si shkelje ligjore nga ana e Inspektoratit të Punës.
“Në bazë të Ligjit të Punës paga jepet së paku njëherë në muaj, në vlera monetare (Euro). Pagesa në mallra nuk lejohet”, i ka thënë Insajderit, Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës.
Ibrahimi ka shtuar se Inspektorati do të bëjë inspektimin e të gjitha marketeve në Kosovë, për të shikuar nivelin e respektimit të Ligjit të Punës./Insajderi.com