AAK-ja kundështon ndryshimin “me urgjencë” të ligjit për zgjedhje

AAK-ja kundështon ndryshimin “me urgjencë” të ligjit për zgjedhje

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar kjo parti është kundër inicimit të procedurave për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje nga Lëvizja Vetëvendosje, njofton Insajderi.

Sipas tij, Kosova ka prioritete të tjera, ndërsa ka shtuar se përpjekja për ta miratuar një ligj të tillë me urgjencë “konfirmon një qasje totalitare e dominuese”.

“Sapo u informuam se në mbledhjen e kryesisë pa prezencën e shefave të grupeve parlamentare është marrë vendim që në seancën e orës 17:00 të bëhet amendamentimi i Ligjit për Zgjedhje. Është e papranueshme që në rrethana kur ky ligj absolutisht nuk është prioritet, të ballafaqohet me ndryshim të tillë.

Kjo e vërteton arrogancën e numrave. A nuk kemi prioritete të tjera? A nuk e kemi prioritet sjelljen e vaksinave? AAK-ja e kundërshton me ngulm dhe mendojmë që Ligji për Zgjedhjet me u sjellë me kaq nguti e konfirmon një qasje totalitare e dominuese”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet, ku ia mundëson diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e shteteve ku ata jetojnë./Insajderi.com