AAK-PSD – A do të nënshkruhet sot koalicioni i parë parazgjedhor?

AAK-PSD – A do të nënshkruhet sot koalicioni i parë parazgjedhor?

Mbrëmë u përfol në media një koalicion i mundshëm ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partinë Socialdemokrate (PSD).

Anëtarët e të dy këtyre partive, në prononcime për Gazetën Insajderi, nuk e kanë mohuar një gjë të tillë. Ndërkaq Gazeta Express, nga burimet e saj, bënë me dije se të dyja palët janë dakorduar që të hënën ta bëjnë publike koalicionin parazgjedhor në një konferencë për media pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.

Dardan Sejdiu nga PSD, i ka thënë Insajderit se sot me fillim nga ora 12:00, Këshilli Drejtues i PSD-së, do ta mbajë një mbledhje ku do të vendoset se a do të shkojë në koalicion parazgjedhor kjo parti apo do të garojë e vetme në zgjedhjet që pritet të mbahen se shpejti.

“Nesër ne e kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues, dhe në atë mbledhje do të diskutohen të gjitha koalicionet e mundshme parazgjedhore, apo garimi i vetëm në zgjedhje. Nesër në ora 12 kemi mbledhje të këshillit, dhe këshilli merr vendime për mënyrën se si ecim përpara. Kaq mund të them”, ka thënë mbrëmë, Sejdiu.

Gati njëjtë ka thënë edhe Teuta Haxhiu.

“Jam e prirë me i pritë strukturat. Nesër në orën 12:00 e kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe pas mbledhjes, dalim zyrtarisht”, ka thënë shkurtimisht Haxhiu për Insajderin.

Ditë më parë, Visar Ymeri, nënkryetari i PSD-së, ka konfirmuar për medie se janë në bisedime serioze me AAK-në.

“Kemi pasur dhe kemi diskutime. Deri tashmë kemi biseduar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por nuk kemi të definuar dhe të nënshkruar asgjë. Javën e ardhshme besoj se gjërat do të qartësohen më shumë”.

Kujtojmë se më 22 gusht pritet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nga i pari i shtetit./ Insajderi.com