AAK i quan neokomunistë deputetët e Vetëvendosjes

AAK i quan neokomunistë deputetët e Vetëvendosjes

“Listën Serbe“, nuk ua sollëm ne! Atë e gjetëm në mesin tuaj”, kështu fillon komunikata e AAK-së duke iu përgjigjur kritikave që u dhanë në adresë të kësaj partie.

“Listën Serbe“, nuk ua sollëm ne! Atë e gjetëm në mesin tuaj, dhe ju neokomunistët e këtij vendi, mos u thirrni në patriotizëm, sepse patriotizmi pa akte patriotike, që juve u kanë munguar gjithmonë, mund të jetë vetëm strehë horrash!”, thuhet në reagimin e AAK-së.

AAK thotë se përfaqësimi i serbëve kosovarë është kategori kushtetuese.

“Përfaqësimi i serbëve kosovarë (në rastin kontekst Lista Serbe) në Institucionet e Republikës së Kosovës është kategori kushtetuese, dhe në çdo kombinim ata duhet të jenë pjesë e institucioneve, sepse kështu e keni gatuar vetë”, thuhet më tej aty.

Sipas AAK-së, krahasimet e sotme që iu bën kësaj partie, u bën nga deputetë joformal, madje prej tyre edhe deputet me akuza për terrorizëm.

“Kakarisjet e sotme në Kuvend, ishin një spektakël populizmi i një grupi jo-formal deputetësh, (në mesin e të cilëve edhe njerëz të akuzuar për terrorizëm), e jo debat parlamentar, sepse nuk mund të ketë debat në një seancë që nuk ka kuorum, madje kur seanca është konstituive, edhe në rast të kuorumit të plotë, nuk parashihet debati. Leni mbledhitë e kthejuni realitetit”, vazhdon reagimi.

“Ne po bëjmë të pamundurën që ta zhbllokojmë situatën e krijuar, duke krijuar parakushtet e realizimit të një të drejte kushtetuese, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, e që u pëlqeu apo jo deputetëve „neokomunistë“, ajo i përket grupimit më të madh politik në vend. Nuk e konsiderojmë se situata e krijuar mund të marrë zgjidhje, me fjalime propagandistike e kundërkushtetuese në një mbledhje pa kuorum të Kuvendit”, përfundon komunikata./Insajderi.com