Abdixhiku dërgon telegram ngushëllimi tek familja e Cimës

Abdixhiku dërgon telegram ngushëllimi tek familja e Cimës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dërguar telegram ngushëllimi për familjen e Rasim Thaçit – Cimës

Në telegram thuhet se “Cima do të mbetet artisti më i dashur për shumë breza”.

“Cima u dha buzëqeshje e i ngrohi zemrat tona në ditë gëzimi, e sidomos në ditët më të rënda për vendin tone”, thuhet ndër tjerash në telegram.

Cima vdiq të premten pasi ishte infektuar me COVID-19.

Telegrafi i plotë i Abdixhikut:

“E nderuara familje Thaçi,

Me pikëllim pranova lajmin për ndarjen nga jeta të familjarit tuaj, artistit tonë të madh Rasim Thaçi – Cima.

Cima do të mbetet artisti jonë më i dashur për shumë breza që e kanë ndjekur në skenë, e kanë shikuar në television dhe e kanë duartrokitur për shumë vite.

Cima u dha buzëqeshje e i ngrohi zemrat tona në ditë gëzimi, e sidomos në ditët më të rënda për vendin tonë.

Cima ishte dhe do të mbetet një nga yjet më të ndritshëm të një plejade artistësh që i dhanë ngjyrë epokës së historisë të vendit tonë, shumë dashuri dhe në këmbim mori duartrokitjet dhe mirënjohjen e pafund, ashtu siç e donte ai.

Më lejoni që t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarit tuaj, Rasim Thaçi dhe ikjen e artistit tonë të dashur”, thuhet në telegramin e Abdixhikut. /Insajderi.com