Abdixhiku i reagon Hoxhajt pasi e akuzoi se ka marrëveshje sekrete me Vjosa Osmanin

Abdixhiku i reagon Hoxhajt pasi e akuzoi se ka marrëveshje sekrete me Vjosa Osmanin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ditë më parë deklaroi se LDK-ja ka marrëveshje të fshehtë me Vjosa Osmanin, dhe për këtë arsye sipas tij, kishte qëndruar në sallën e Kuvendit në momentin kur ajo u votua për presidente të shtetit, transmeton Insaderi.

Sipas Abdixhikut të gjitha këto janë të pavërteta dhe se nuk ka koment për një gjë të tillë.

“Nuk ka pse të ketë marrëveshja të fshehta. Çfarë marrëveshje mund të kesh me presidenten. Janë të pavërteta dhe janë të pasakta. Nuk kam koment për një gjë të tillë”, ka thënë i pari i LDK-së në Rubikon të Klan Kosovës.

Abdixhiku po ashtu ka folur lidhur me zhvillimet e fundit që ndodhën sot në Kuvendin e Kosovës.

”Sjellja e përgjithshme e tillë në tendencë të ndalimit të fjalës, është më tepër ajo pjesë e një paralajmërimi që kam bërë në fjalën time të parë në rastin e formimit të Qeverisë. Që tani pushteti që i ka të gjitha nuk guxon të sillet si opozitë sepse kur sillet si opozitë prodhon diktat e autoritet të pashpjegueshëm e të panevojshëm në skenën politike në vend”, ka theksuar ai./Insajderi.com