Abdixhiku kërkon nga BE-ja liberalizimin e vizave për Kosovën

Abdixhiku kërkon nga BE-ja liberalizimin e vizave për Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian liberalizmin e vizave për Kosovën.

Këtë kërkesë, Abdixhiku e bëri gjatë një takimi virtual me kryetarët e Partive Popullore Evropiane.

Sipas njoftimit të LDK-së në këtë takim kanë marrë pjesë edhe figura si Presidenti i PPE, Donald Tusk, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša, Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, Kryeministri i  Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković dhe një sërë presidentësh, kryeministrash e liderëve opozitarë të Ballkanit Perëndimor.

“Në vigjilje të Samitit të BE-së që do të mbahet nesër, përfaqësuesit më të lartë të BE-së ritheksuan të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

“Kryetari Abdixhiku kërkoi që BE-ja të aplikojë standarde të njëjta për këtë pjesë të rajonit duke liberalizuar vizat për Kosovën dhe që pesë vendet tjera të BE-së të njohin Republikën e Kosovës si dhe të hapin rrugën e shtetit tonë drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.

Lidhja Demokratike e Kosovës është pjesë e partive popullore evropiane, ku elementi kryesor i këtij organizimi qëndron te djathtizmi ideologjik.

Pikërisht, partia e themeluar nga Ibrahim Rugova që nga fillimi ka qenë në orientimin e djathtë.

Orientim që karakterizohet për ekonomi të tregut dhe më shumë elemente konservative.

Sigurisht, në secilin shtet është forma unike e djathtizmit. /Insajderi.com