Abdixhiku-Kurtit: Dokumentet e dialogut t’i kemi dhënë ditën e pranimit të detyrës

Abdixhiku-Kurtit: Dokumentet e dialogut t’i kemi dhënë ditën e pranimit të detyrës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë vizitës dyditore në Bruksel deklaroi se rreth procesit të dialogut është informuar gjatë qëndrimit atje, pasi sipas tij, në Prishtinë nuk ka gjetur asnjë dokument të lënë nga qeveria paraprake e udhëhequr nga Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Në reagimin e tij, Abdixhiku është shprehur se dokumentet e dialogut kryeministrit ja kanë dorëzuar në ditën e pranimit të detyrës.

Sipas tij, Kurti po e luan viktimën.

“Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi. Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim. Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.

Ai tutje është shprehur se nëse i janë dashur informata nga njerëzit e LDK-së, Kurti është dashur t’i kërkojë.

“…jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë. Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë”, ka përfunduar Abdixhiku./Insajderi.com