
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmanin, do ta zhvillojë të premten në orën 14:30, njofton Insajderi.
Këtë e bëri të ditur ai derisa ka kryer homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, nga ku deklaroi se do të jetë konstruktiv për të kontribuuar në ndërtimin e institucioneve të reja “duke mbrojtur idealet dhe idetë e LDK-së”.
“Po besojmë që gjatë javës do të kemi konsolidimin e të gjitha organeve të LDK-së. Ajo çfarë mund të themi është se takimin e radhës e kemi të konfirmuar me u.d e –presidentes dhe kryetarin e LVV-së, të premten në orën 14:30”, ka thënë Abdixhiku, nga Prekazi.
“Jemi të interesuar të shërbejmë mbarë dhe drejt, si LDK-ja dhe jo vetëm në të gjitha rolet që i kemi për të kontribuuar në shtetin tonë, duke nderuar dhe kujtuar të kaluarën tonë që nis në Prekaz”, ka thënë ai.
“Meqë jemi në këtë tempull, do të punojmë për interesin e Kosovës. Ky interes kupton që të jemi konstruktiv dhe të afërt mes vete, duke i shërbyer institucioneve të vendit që janë ndërtuar me sakrificë”, shtoi Abdixhiku.
Abdxhiku ka paralajmëruar se LDK-ja do mbajë një mbledhje konsultative të brendshme për t’i treguar hapat e mëtejmë. /Insajderi.com