Abdixhiku: “Open Ballkani” projekt politik, përfitimet ekonomike të parëndësishme përballë mohimit serb

Abdixhiku: “Open Ballkani” projekt politik, përfitimet ekonomike të parëndësishme përballë mohimit serb

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar rreth iniciativës “Open Balkan” të nisur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për çka thotë se është projekt politik, dhe se përfitimet ekonomike “bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb”, njofton Insajderi.

Abdixhiku thotë se një gjë të tillë duhet ta kuptojnë zyrtarët në Shqipëri dhe se Qeveria e Kosovës duhet të flasë me Qeverinë e Shqipërisë.

“Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona – kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga kryeministri ynë – ka bërë që për herë të parë në historinë 30-të e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim”, thuhet në qëndrimin e Abdixhikut përmes një komunikate.

Ai thotë se Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale, si palë e barabartë dhe shtet sovran, i njohur nga të gjitha shtetet.

“Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë – shtet sovran; e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon”, thuhet tutje në komunikatë. /Insajderi.com