Abdixhiku për deklaratën e zëdhënësit të Kurtit: “Aq di i shkreti”

Abdixhiku për deklaratën e zëdhënësit të Kurtit: “Aq di i shkreti”

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi të shtunën se çdo marrëveshje e nënshkruar me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e obligueshme për t’u zbatuar, njofton Insajderi.

Duke komentuar deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, i cili një ditë më parë tha se marrëveshja e nënshkruar me palën serbe në Washington është jolegjitime, Abdixhiku tha shkurt “kaq di i shkreti, s’di më shumë”.

Kjo pasi sipas tij, marrëveshja me ShBA-në është në interes të Kosovës.

“Aq di i shkreti s’di më shumë. Çdo marrëveshje ndërkombëtare me ShBA-në është e obligueshme dhe është në interes të Kosovës”, u shpreh i pari i LDK-së pas homazheve te varri i Nekibe Kelmendit.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, deklaroi të premten se “marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend”. Sipas tij, kjo marrëveshje është jolegjitime pasi është nënshkruar nga Qeveria Hoti, “e cila ishte po ashtu jolegjitime”.

Për deklaratën e Kryeziut ka reaguar edhe ish-kryeministri dhe njëherësh kryetar i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të demantojë deklaratën e Kryeziut “për të mos rrezikuar marrëdhëniet me Amerikën”./Insajderi.com