
Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që takimi i thirrur nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, të mbahet të premten, njofton Insajderi.
Kështu u shpreh ai para mediave derisa po largohej nga lokacioni ku u mbajt Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, ndërsa ka sqaruar se kërkon që ky takim të mbahet gjatë asaj dite meqë fillimisht do të bëhet konsolidimi i udhëheqësisë së re të LDK-së.
Andaj, siç thotë ai, e ka të pamundur që nesër të marrë pjesë në takimin Kurtin e Osmanin, për bisedime rreth formimit të institucioneve të reja.
“E kam të pamundur për shkak të konsolidimit të udhëheqësisë së re të partisë për të marrë pjesë në takimin e nesërm. Propozoj të premten si datë takimi. Sa i përket çështjes për votën për president apo qeveri, vendimet tona do të jenë kolektive dhe jo individuale, duke marrë parasysh respektin që e tregojnë partitë tjera ndaj LDK-së”, ka thënë Abdixhiku. /Insajderi.com