Miliarderi rus dhe pronar i klubit të futbollit Chelsea Roman Abramovich e ka tërhequr kërkesën për marrje të lejes së qëndrimit në Zvicër pasi autoritetet i kanë bërë me dije se do të refuzohet, kanë thënë zyrtarët.

Avokatët e Abramovichit i kanë kritikuar ashpër pretendimet “shpifëse” mbi shpëlarje të parave dhe kanë mohuar se ai është i lidhur me krimin e organizuar, gjë që, sipas medieve zvicerane, është përmendur gjatë vendosjes për kërkesën e tij.
Abramovich ka dashur të transferohet në qytetin Banj në Alpe. Ky qytet me 8.000 banorë është i njohur për skitari, festival muzikor veror dhe për rregullat të cilat mundësojnë që tatimi të paguhet sipas tarifave të caktuara në bazë të vlerës së pasurisë, transmeton Insajderi.com.
Përfaqësuesit e Abramovichit e kanë tërhequr kërkesën e klientit të tyre para se t’i dorëzohet vendimi negativ, transmeton AP.
“Çdo pretendim se zotëri Abramovch është i përzier në shpëlarje të parave apo që ka lidhje me organizatat kriminale është gënjeshtër”, ka thënë avokati i tij Daniel Glasl.
Abramovich i cili ka jetuar në Moskë dhe Londër, sivjet e ka marrë shtetësinë e Izraelit, pasi nuk i është ripërtërirë viza britanike në kuadër të masave të Londrës kundër bashkëpunëtorëve të presidentit rus Vladimir Putin.
Pasi kërkesa e Abramovichit për qëndrim në Zvicër u shndërrua në problem, avokatët e tij janë përpjekur që në gjykatë të bllokojnë daljen e detajeve të procedurës në publik. Mirëpo, gjykata federale e ka shfuqizuar ndalesën e përkohshme për medie, gjë që grupi mediatik Tamedia e ka quajtur si fitore për lirinë e shtypit./Insajderi.com.