Arban Abrashi deklarohet pas vendimit të LDK-së që e përjashton nga gara

Arban Abrashi deklarohet pas vendimit të LDK-së që e përjashton nga gara

Arban Abrazhi dhe Hazir Borovci janë deklaruar pas vendimit të LDK-së që të dy të tërhiqen nga gara për kryetar të degës së tretë të kësaj partie në Prishtinë.

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së ku u mor ky vendim, Abrashi tha se në mbledhje u fol për zhvillimet dhe proceset e se situata duhet të trajtohet me më shumë kujdes.

“Ka pasur demokraci. Sot e kemi pa në media që aty kanë qenë të infiltruar disa të partive të tjera, i keni pa edhe vetë lajmin e një personi me karrige, që si duket është i një partie tjetër dhe kaq mund të them. Po flasim për këtë të djeshmen, e pashë në media, ishte i identifikuar edhe me foto edhe me emër dhe nuk kam çka të komentoj më shumë. Sot folëm në përgjithësi për zhvillimet dhe proceset. Duhet trajtuar me më shumë maturi, duhet më shumë ndërhyrje të kryesisë për të ecur tutje. Ato duhet trajtuar dhe të shikohen parregullsitë. Ka problem edhe me anëtarët e partive të tjera, të cilat po ndërhyjnë shkaku i mungesës së listës së anëtarësisë, por janë gjëra që rregullohen. Është tragjike realisht ajo çka ka ndodhur dje, por po shihet që janë edhe të tjerët të interesuar ta dëmtojnë LDK-në, të partive të tjera. Sot e keni pa në media me emër me mbiemër me karrige në dorë”, ka deklaruar ai.

Abrashi më tej ka thënë se nuk beson që dikush është kundër tij në LDK.

“Nuk kisha hy, nuk besoj që është dikush kundër meje, më shumë ka njerëz që dëshirojnë të kyçen në LDK dhe në këtë proces të zgjedhjeve të brendshme. Unë gjithmonë kam me qenë ai zëri i arsyes që kam për t’iu ndihmuar të rinjtë për anëtarësim dhe për t’iu gjetur hapësirë në LDK, kurrgjë tjetër”, është shprehur ai.