Abrashi: Policët po sulmohen për motive politike

Abrashi: Policët po sulmohen për motive politike

Policia e Kosovës është ndër më policitë më profesionale në rajon, por është duke u vënë në pozita të vështira për motive politike.  Kështu ka thënë Arban Abrashi, Ministër i Punës dhe Mirëqenies, pas takimit të zhvilluar në mes të Kryeministrit Isa Mustafa dhe përfaqësuesve të sindikatave të policisë.

“Policët po sulmohen për motive të ndryshme politike dhe kjo e vendos policinë në një situatë të vështirë, sidoqoftë reagimi i tyre ka qenë gjithmonë profesional dhe ne e çmojmë këtë”, ka thënë Ministri Abrashi, që njëkohësisht është edhe zëdhënës i qeverisë.

Në anën tjetër, Shaban Tasholli, përfaqësues i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka njoftuar se me kryeministrin Mustafa është diskutuar për sigurimet shëndetësore.

“Ne e dimë se policisë kjo gjë i mungon shumë, sepse kemi të lënduar shumë në kryerje të detyrës por edhe sëmundje të ndryshme të tjera. Na është premtuar se do të shqyrtohet kjo në dy mënyra, në tërësi apo si sigurim personal, siç i ka Dogana,” ka thënë Tasholli, njofton Klan Kosova.

“Biseduam edhe për pika të tjera për mirëqenie, për pajisjet që i kemi. Ne si çdo herë kemi pas mbështetje prej stafit menaxhues, prej Ministrisë, për punën tonë të mëtutjeshme” ka thënë Tasholli, duke kërkuar që policia të mos sulmohet gjatë protestave të opozitës./Insajderi