Abrashi: Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim të drejtë

Abrashi: Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim të drejtë

Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi po pret që Kushtetuesja të marrë vendim të drejtë, në lidhje me balotazhin e zhvilluar në kryeqytet.

Gazeta Insajderi më herët raportoi se Komisioni i Venecias i ka rekomanduar Gjykatës Kushtetuese përsëritjen e balotazhit.

Komisioni i Venecias kishte kërkuar kohë nga Gjykata Kushtetuese për një mendim shtesë, në lidhje me ankesën e Arban Abrashit që ishte kandidat për kryetar të Prishtinës.

Kjo ankesë kishte të bënte me disa shkelje që LDK pretendonte se janë evidentuar gjatë procesit zgjedhor në balotazh më 19 nëntor 2017.

Opinioni i Komisionit të Venecias nuk është obligativ për Gjykatën Kushtetuese, gjykatë e cila pritet ta jap një vendim përfundimtar brenda ditësh.

Ndërkohë, burime të sigurta të Insajderit kanë konfirmuar se kandidatët Arban Abrashi dhe Shpend Ahmeti janë sinjalizuar lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias dhe vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Por deputeti aktualë i LDK-së, Abrashi nuk ka komentuar rekomandimin e Komisionit të Venecias.

Ai ka thënë për Insajderin se pret vendim të drejtë nga Gjykata Kushteuese.

“Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të sjellë vendim të drejtë, paanshëm dhe arsyetuar mirë; sepse tani më është konsumuar 1/3 e mandatit, sepse çdo prolongim po sjellë pasoja të pariparueshme”, ka thënë Abrashi.

LDK-ja ankesën në Kushtetuese e kishte dorëzuar në marsin e këtij viti.

Aso kohe Arban Abrashi kishte thënë se ankesën e tij e ka të bazuar në dy nene, të cilat Gjykata Supreme sipas tij nuk i kishte trajtuar si duhet.

“Ankesa kushtetuese ka të bëjë me dy nene themelore, që ka të bëjë e drejta zgjedhore dhe pjesëmarrjes, si dhe mbrojtja gjyqësore sepse ne mendojmë që disa vendime të cilat janë marrë nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme nuk i kanë trajtuar ankesat si duhet. Sipas disa juristëve të cilët e kanë trajtuar vetë lëndën mund të thuhet se janë vendime edhe arbitrare karshi të drejtave tona”, kishte thënë Abrashi. /Insajderi.com