Adem Grabovci thotë se ishte duke bërë hajgare me Bahri Hysenin

Adem Grabovci thotë se ishte duke bërë hajgare me Bahri Hysenin

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, është deklaruar gjatë ditë së sotme lidhur me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria, lidhur me hulumtimin e Insajderit të quajtur “Dosja e Shefit”, ku Grabovci kishte qenë protagonisti kryesor, shkruan Insajderi.

Grabovci vazhdon të shprehet i bindur se është i pafajshëm në këtë rast, ai thotë se nga përgjimet që janë publikuar nuk është punësuar asnjë person.

“Po nuk është punësuar asnjë o Arsim, për të ekzistuar një vepër fillimisht duhet me ekzistuar një pasoj, por nuk ka ekzistuar asnjë pasoj tjetër, kjo ka mbet në fazën fillestare dhe me vendim të kryeministrit të atëhershëm janë anuluar të gjitha këto borde dhe asnjë prej tyre nuk është i punësuar”, ka thënë Grabovci i ftuar në T7.

Njëra ndër përgjimet më interesante njëkohësisht edhe qesharake ishte biseda mes Adem  Grabovcit dhe Bahri Hysenit. Grabovci që e telefononte Hysenin për ta punësuar si anëtarë të Bordit, ndërsa Hyseni as nuk e kishte as idenë fare çfarë po nodhte. I habitur por i gatshëm për tu punësuar, pa e ditur se ku.

Hyseni i thoshte Grabovcit: “Po s’kam konkurruar unë. Veç nëse e keni bë ndonjë propozim qysh e bëni ju, ku e di unë”.

Ndërsa Grabovci shprehej i lumtur që e kishte telefonuar, për shkak se gati sa nuk e kishte punësuar dikë tjetër me emrin e njejt.

“Jo vallah unë me Besimin qetu të shtim, khuu shyqyr që të thirra se bash kur e pash emrin ton më erdh mirë se s’dishum kon. Hëë, a s’je ti a”, thoshte Grabovci.

Por gjithë këtë ngjarje Grabovci po e quan shaka që ishte bërë me kolegët dhe me Hysenin.

“Bahri Hyseni që e potencojnë aty nuk ka qenë Bahri Hyseni, prokurorin, por ka qenë fjala për një Bahri Hyseni që punon në ‘Iber Lepenc’, verifikoni ju lutem. Në bisedë me kolegët hajde vetëm të bëjmë shaka me kolegun tonë Bahriun, pse ke konkurruar si ke konkurruar dhe ai normalisht befasohet dhe thotë që normalisht që nuk kam konkurruar”, ka deklaruar Grabovci./Insajderi.com